Agresioni rus, Rutte: Putin është pengesa kryesore për përfundimin e luftës në Ukrainë Disa orë pasi Kievi njoftoi kapjen e 10 ushtarëve rusë në lindje të Ukrainës, presidenti Petro Poroshenko pritet të takohet me shefin e Kremlinit Vladimir Putin në Minsk të Bjellorusisë.
Takimi i diskutuar prej kohësh vjen në mesin e një përshkallëzimi të tensioneve mes dy vendeve, pasojë e fushatës ushtarake kundër separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore.
Moska vazhdimisht e ka mohuar mbështetjen e rebelëve, por shërbimi ukrainas i sigurisë, i cili njoftoi dhe ndalimin e paraushtarakëve rusë, sqaroi se atyre iu gjetën me vete armë dhe dokumente personale.
Një hetim ka nisur tashmë mbi këta persona për shkelje të paligjshme të kufirit në një kohë kur janë dhe të armatosur. Pak përpara bisedimeve të Minskut, Poroshenko shpërndau Parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e reja më 26 tetor.
Në një fjalim televiziv, ai argumentoi dhe arsyen e kësaj lëvizjeje, duke u shprehur se shumica e ligjvënësve aktualë ishin përkrahës të presidentit të përmbysur Viktor Janukoviç e duke shtuar se është e qartë që pjesa dërrmuese e ukrainasve kërkojnë një Parlament të ri.
“Një Parlament i ri është i nevojshëm pjesërisht edhe për të larguar deputetët që me vetëdije të plotë, po bllokojnë reformat. Parlamenti i vjetër ka qenë për një vit e gjysmë mbështetje për Janukovych dhe pikërisht shumica e këtyre ligjevënësve ishte ajo që miratoi ligje diktatoriale të cilat kushtuan qindra jetë njerëzish”, deklaroi Poroshenko.
Në samitin e Minskut marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, si dhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, të cilat i kanë vendosur sanksione Rusisë për dështimin e saj në frenimin e separatistëve.
Përpara bisedimeve, shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov u shpreh se Perëndimi nuk duhet t’ia lërë të gjithë barrën Moskës. “Shpresoj shumë që kolegët tanë perëndimorë të mos vijnë me pritshmëri të larta se me ndonjë lloj magjie, ne do t’ua zgjidhim të gjitha hallet. Kjo nuk ka për të funksionuar”, deklaroi Lavrov. Rusia pretendon se fushata ushtarake e Kievit po shkakton një krizë humanitare në rajonet lindore të Ukrainës.
Ndërkohë, analistët mendojnë se zgjedhjet e reja në këtë vend paraqesin rrezik edhe për vetë Poroshenkon, sepse po nuk arriti t’i japë fund luftimeve përpara votimeve të muajit tetor, ukrainasit e pakënaqur nga mungesa e aftësisë së ekzekutivit për zbatimin e reformave dhe frenimin e korrupsionit, mund të mos ia japin votën e tyre.
Top Channel