Siri, IS merr edhe bazën e fundit ajrore

25/08/2014 00:00

Luftëtarë të Shtetit Islamik kanë mundur të shtien nën kontrollin e tyre një bazë ajrore tepër të rëndësishme të qeverisë siriane.

Lajmi bëhet i ditur nga aktivistë dhe i referohet bazës ajrore “Tabqa”, e cila ishte e fundit e mbetur nën kontrollin e qeverisë së Bashar al-Assadit në provincën Raqqa.

Televizioni shtetëror konfirmoi se forcat qeveritare kanë “evakuuar” bazën ajrore. Gjatë ditëve të luftimeve, në këtë bazë janë raportuar me qindra vetë të vrarë nga të dyja palët.

Më shumë se 191 mijë njerëz janë vrarë tashmë në Siri, që kur nisi konflikti para 3 vitesh, bën të ditur OKB.

Shteti Islamik (IS), i njohur më herët si ISIS, ka zgjeruar kontrollin e tij në pjesë të tëra të Sirisë lindore dhe Irakut verior gjatë muajve të fundit.

Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme të kufizuara ajrore ndaj grupit në Irak, por nuk ka vepruar ndaj tyre në Siri.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup aktivist me seli në Britani që ka lidhje me opozitën siriane, tha se përplasjet në bazën ajrore vazhdojnë, por shtoi se ajo tashmë është nën kontrollin e plotë të IS.

Qindra ushtarë dhe luftëtarë të IS kanë vdekur gjatë ditëve të fundit në këtë bazë.

“Pas luftimeve të ashpra mes forcave mbrojtëse në bazën ajrore Tabqa, forcat tona implementuan një operacion rigrupimi pas evakuimit të bazës ajrore”, tha televizioni shtetëror sirian, duke nënkuptuar humbjen e kontrollit ndaj saj.

Baza ndodhet rreth 45 lm jashtë qytetit të Raqqas, një bazë e fuqishme apo kryesorja e IS në Siri, dhe besohet se mban në të dhjetra avionë luftarak, helikopterë, tanke dhe artileri të rëndë.

Analistët thonë se dorëzimi i kësaj baze është një goditje e rëndë për aftësinë e qeverisë siriane për të projektuar mbrojtje ajrore në veri të vendit. Ajo ishte e fundit nën kontrollin e qeverisë në provincën tashmë të dorëzuar ndaj IS.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB