Rusia, gati autokolonën e dytë

25/08/2014 00:00

Rusia ka planifikuar të dërgojë një tjetër autokolonë humanitare në Ukrainën lindore “gjatë ditëve të ardhshme”, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Kreu i diplomacisë ruse tha se situata humanitare në rajonet lindore të Ukrainës është “përkeqësuar” ndjeshëm.

Ukraina në fakt nuk autorizoi dërgesën e parë, e cila u rikthye në territorin rus gjatë fundjavës, kjo për shkak se i frikësohej faktit që në kamionë mund të kishte pajisje ushtarake për separatistët pro-rusë.

Më shumë se 2000 njerëz kanë vdekur gjatë muajve të fundit të luftimeve mes forcave qeveritare dhe rebelevë separatistë. Rreth 330 mijë janë zhvendosur duke braktisur shtëpitë e tyre.

Presidentët e Rusisë dhe Ukrainës priten të takohen në Minsk të Bjellorusisë gjatë së martës, për të biseduar në lidhje me krizën. Lavrov tha se kishte dërguar një shkresë për Ministrinë e Jashtme ukrainase, gjatë së dielës, për ta informuar në lidhje me dërgesën e re të ndihmave humanitare.

Në konferencën për shtyp gjatë së hënës, ai tha se “situata humanitare nuk është përmirësuar aspak, përkundrazi po përkeqësohet”.

“Duam të arrijmë një marrëveshje me çdo kusht për të dërguar një autokolonë të dytë me të njëjtin destinacion dhe nga e njëjta rrugë, gjatë ditëve të ardhshme”.

Ka pasur raportime gjatë së hënës, se një autokolonë mjetesh të blinduara ruse kanë hyrë në rajonin e Donjeckut, në Ukrainë. Media ukrainase foli për përplasje të dhunshme me forcat qeveritare.

I pyetur në lidhje me një ndërhyrje të mundshme ushtarake ruse, Lavrov tha se “ka një dezinformim të mjaftueshëm”, ndaj nuk ia vlen të flas më tej.

Sa i përket takimit mes Presidentëve gjatë së martës, Lavrov tha se “Ne jemi gati për çdo lloj formati, për sa kohë që si pasojë e tyre të kemi një rezultat konkret”, duke shtuar se Rusia kërkon “të ndihmojë ukrainasit të bien dakord mes tyre”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB