Libi, bie aeroporti i Tripolit

24/08/2014 00:00

Parlamenti i sapozgjedhur i Libisë e ka quajtur terroriste aleancën e milicive, e cila ka njoftuar pushtimin e aeroportit ndërkombëtar të Tripolit. Sipas ligjvënësit, aleanca është tashmë një shënjestër legjitime e Forcave të Armatosura.

Në aleancë bëjnë pjesë islamikë dhe luftëtarë nga qyteti i Misratas. Një zëdhënës i milicive tha se Parlamenti i ri është jolegjitim, ndërsa bëri thirrje ndaj ish-trupës qeverisëse të vendit, Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar që dominohej nga islamikët, të ndërhyjë.

BBC bën të ditur se ka raportime të pakonfirmuara për luftime të vazhdueshme mes grupeve të armatosura rivale në periferitë të qytetit, ndërsa janë dëgjuar edhe shpërthime.

Vendi është përfshirë nga një konflikt i ashpër mes milicive rivale, që pas trazirave të 2011-s që mundësuan rrëzimin e liderit Muammar Gaddafi, në pushtet prej një kohe të gjatë. Disa qindra njerëz kanë vdekur nga shtimi i luftimeve së fundi.

Aleanca e milicive tha se kishte mundur të vihej në kontrollin e aeroportit, pavarësisht se ishte shënjestruar nga sulme ajrore mister, për herë të dytë gjatë kësaj jave. Rrëzimi i raportuar i aeroportit është një pengesë për milicinë rivale të qytetit Zintan, aleatë të Gjeneralit Khalifa Haftar, i cili nisi një fushatë në fillim të këtij viti kundër asaj që ai e quajti qeveri “të dominuar nga islamikët”.

Ata e kontrollonin aeroportin prej thuajse 3 vitesh tashmë. Menjëherë pas rënies, Parlamenti që ndodhet në qytetin lindor të Tobrukut, pasi Tripoli dhe Bengazi janë thuajse jashtë kontrollit të qeverisë, deklaroi milicitë fitimtare si “organizatë terroriste”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB