ISIS dhe rreziku për sigurinë në botë

20/08/2014 00:00

Fushata e terrorit, që vazhdon të ushtrojë Shteti Islamik në Irak, dhe përfshirja e tij aktive në luftimet në Siri e kanë shndërruar këtë rrjet në një ndër shqetësimet parësore të sigurisë në botë.

Kohët e fundit, autoritetet në Kosovë arrestuan mbi 40 individë, të dyshuar për mbështetje të operacioneve të kësaj organizate.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, analisti i çështjeve të sigurisë Seth Jones e përshkroi ISIS-in si një faktor të qenësishëm destabiliteti në Irak dhe një shqetësim për të ardhmen e Sirisë, pas përfundimit të konfliktit.

Por, nga ana tjetër, Jones shton se ka arsye reale për t’u shqetësuar mbi kërcënimin, që paraqet kjo organizatë, edhe për sigurinë në Perëndim. Eksperti përmend shqetësimet mbi komplote aktive për sulme në Europë, siç i quan ai.

Në Spanjë, Francë e Britani janë kryer arrestime të individëve që, sipas këtyre qeverive, ishin stërvitur në Siri, por edhe në Irak, e kanë qenë të përfshirë në planet për sulme terroriste në kontinentin e vjetër.

Ajo çfarë bie në sy, në mënyrë të veçantë, te mënyra se si operon ISIS, është fakti që ka qenë shumë efektiv dhe novator në përdorimin e medias sociale për tërheqjen e rekrutëve dhe simpatizantëve.

Si ai, ashtu edhe Fronti al-Nusra në Siri, kanë llogari në Twitter e në Facebook dhe ngarkojnë video në Youtube në kohë reale. Një individ në Perëndim e ka fare të thjeshtë të dëgjojë propagandën e tyre, e madje edhe të komunikojë drejtpërdrejt me ta, në Siri apo Irak.

Ekspertët mendojnë se ky aktivitet elektronik duhet ndjekur me vëmendje nga organet e rendit dhe sigurimit të shtetit, për të kapur sinjale të rrezikut që paraqesin të tilla aktivitete apo individë. Shqetësim përbëjnë, nga ana tjetër, edhe personat që kthehen nga zonat e konfliktit, mbi veprimtarinë jashtë kufjve të të cilëve duhet krijuar – sipas analistëve, – një bazë e kujdesshme të dhënash.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta