SHBA, parandalohet masakra

19/08/2014 00:00

Vrasjet në masë në shkollat amerikane janë një makth i përsëritur, por këtë herë policia arriti të shmangë terrorin e rikthimit të një skenari të tillë.

Falë informacioneve të marra për një komplot të kësaj natyre në një gjimnaz të Los Angelesit, forcat e rendit parandaluan një masakër të mundshme duke arrestuar dy adoleshentët, që duket se bluanin prej kohësh idenë për të vrarë sa më shumë pjesëtarë të stafit e nxënës të shkollës në fjalë.

Në deklaratën e Departamentit lokal të Policisë, të postuar online, thuhet se janë gjetur prova të mjaftueshme për planin e dy të rinjve dhe prangosjen e tyre.

“Njëri nga adoleshentët u arrestua pa bërë rezistencë, ndërsa tjetri nuk pranoi të dorëzohej, çka detyroi agjentët të hynin me forcë në shtëpinë e tij. I riu u kap në banesë pas një përpjekjeje të pasuksesshme për t’u larguar”, lexohej në deklaratë.

Zyrtarët nuk dhanë detaje të tjera mbi komplotin, duke sqaruar vetëm se të rinjtë kishin ndërmend të vrisnin të pakten tre punonjës të shkollës dhe sa më shumë nxënës që të ishte e mundur, e për këtë do të përdornin armë zjarri.

Në gjimnazin e ndodhur në lagjen e pasur “South Pasadena” janë të regjistruar mbi 1.500 nxënës. Lajmi i arrestimit të dy adoleshentëve vjen tri javë, pasi një gjykatës në Minesota i hodhi poshtë akuzat e vrasjes në tentativë dhe dëmtimit të pronës, të ngritura ndaj një të riu që dyshohet se po planifikonte një sulm me armë zjarri dhe bombë në shkollën që ai vet frekuentonte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB