Ukrainë, rebelët me sistem raketor “Uragan”

18/08/2014 00:00

Forcat qeveritare të Ukrainës kanë avancuar në luftimet ndaj separatistëve pro-rusë gjatë së hënës, duke i ardhur përqark qytetit të kontrolluar nga rebelët, Horlivka, si dhe duke marrë nën kontroll disa vendbanime të vogla në Lindje të Ukrainës, ka bërë të ditur ushtria.

Një deklaratë e ushtrisë bënte të ditur se dyshohej që rebelët të ishin kundërpërgjigjur me një sistem të fuqishëm raketor të prodhimit rus, “Uragan”, në Juglindje të Donjeckut, shumë pranë fshatit Novokaterinivka, gjë që ndodh për herë të parë nga separatistët.

E megjithatë nuk jepej informacion mbi numrin e viktimave në secilën palë, ashtu sikurse nuk kanë komentuar as rebelët. Forcat ukrainase thonë se janë duke i zmbrapsur gjithnjë e më shumë rebelët, si dhe duke prerë lidhjet e komunikimit mes tyre, pas një konflikti thuajse 4-mujor në Lindje të vendit.

“Vendbanimet në Malaya Ivanivka dhe Adrianivka janë pastruar tërësisht nga rebelët. Ndërsa ato në Alchevsk janë izoluar tërësisht. Horlivka mbetet e bllokuar”, thuhej në deklaratë.

Horlivka, një qytet me më shumë se 230 mijë banorë, ka qenë nën kontrollin e rebelëve që prej momenteve të para të konfliktit, që nisi pas aneksimit të Krimesë nga Moska. Qyteti ka vlera strategjike, pasi shtrihet në Veri të rrugës kryesore që lidh Donjeckun me Luhanskun.

“Mercenarët rusë janë në panik tashmë, e po përpiqen të dalin nga këto vende”, lexohej më tej në deklaratën e ushtrisë ukrainase.

Sa i përket sulmit të rebelëve me raketë në Novokaterinivka, thuhej: “Sulmi me shumë mundësi ka ardhur nga një ‘Uragan’ 9P 140. Kjo është hera e parë që përdoret një armë kaq e fuqishme”.

Qeveria e Kievit ka akuzuar Rusinë, që nga ana e saj kundërshton politikat e Kievit pro-Perëndim, se ka lejuar futjen e tankeve, sistemeve raketore dhe mjeteve të blinduara në rajonet e rebelëve. Por, Moska e mohon këtë gjë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB