ANDREA STEFANI – Sali Berisha, pupaci i tij Lulzim Basha dhe gjithë klani i korruptuar politik i PD që ra nga kali i pushtetit me votë masive, është mobilizuar për t’u ringritur përsëri dhe për t’i hapur Shqipërisë plagë edhe më të rënda se në këto 23 vjet.
Dhe në strategjinë e “Ringritjes” i mbyturi Berisha po përpiqet të shfrytëzojë politikisht kundër “Rilindjes” edhe raste perversiteti që nuk kanë rrënjë politike. Si ky i fundit në Sarandë, ku një vullnetar (në daçi sekretar) i deputetit socialist Koço Kokëdhima, i quajtur Agron Cane, i kërkoi një nëne seks me vajzën e saj 14-vjeçare në këmbim të një vendi pune. Seks me të miturën edhe me pjesëmarrjen e nënës pra, një orgji që vetëm epshet e një monstre dhe jo mendja e një njeriu, burri a babai mund ta propozojë. Monstra të tilla gjen aty-këtu në çdo shoqëri dhe pse jo, edhe në elektoratet a militantët e çdo partie. Por është jashtë çdo logjike që këta përbindësha të pjellë nga larmi faktorësh shpesh të mbetur në mister, t’i cilësosh produkte të një partie. Megjithatë, pa kaluar as pak orë nga zbulimi i këtij perversiteti, që duhet të na bëjë të alarmohemi për përbindshëzimin e disave në vendin tonë, Berisha me kompani gjakojnë ta shfrytëzojë politikisht këtë perversitet. Zgjatin duart e përgjakura më 21 janar të kapen për shpëtim, si i mbyturi pas fijes së barit, pas bëmës së një perversi që vetëm sot ia dëgjuam emrin. Si përherë krimi rreket të shfrytëzojë krimin për t’u ringritur, e keqja të keqen, perversiteti-perversitetin. Shpresojnë se perversiteti i manifestuar nga një vullnetar i Rilindjes apo i Kokëdhimës në Sarandë, do mund të shërbejë si gjethe fiku e kryekrimeve të kryera prej tyre në zyrat më të larta të shtetit. Etja për pushtetin e humbur, që e keqpërdorën me perversitet sa mundën për 8 vjet, i ka verbuar dhe nuk i lë të kuptojnë se krimi i tyre nuk ka shok dhe se ata nuk mund të jenë alternativa më e mirë për shqiptarët edhe krahasuar me perversitetin e Canes.
***
Berisha, ky autokrat i denoncuar në publik deri edhe për vrasje politike, që u ka ofruar deri më sot shqiptarëve vetëm dy opsione, ose sundimin e tij personal dhe të klanit të tij ose destabilitetin, meqenëse e shikon se nuk rikthehet dot në pushtet me votë, meqenëse e shikon se sa më shumë kohë kalon, aq më e pashmangshme bëhet dhënia llogari për 21 janarin dhe krime të tjera, po i fryn prushit të destabilitetit. Prandaj, kinse i revoltuar nga perversiteti i një të quajturi Agron Cane që paska qëlluar të jetë vullnetar i Kokëdhimës në Sarandë, njeriu më pervers i politikës shqiptare në këto 23 vjet, gjen shkak të revokojë grushtin e shtetit duke rihedhur në qarkullim parullën e tij të stërvjetër, të shëmtuar prej rrugaçi, “ta shporrim, ta shporrim qelbësirën”! Parullë të cilën ai e përdori për të ndërsyer turmat e gangsterëve dhe fanatikëve të tij që më 14 shtator 2008, duke i turrur me kallashë e bazuka mbi Kryeministri dhe institucionet e shtetit. Një krim tjetër për të cilin Berisha nuk është ndëshkuar as sot e kësaj dite. I ndërseu fanatikët e tij mbi institucionet e shtetit nën pretekstin e vrasjes së Azem Hajdarit ky pervers politik që sot denoncohet publikisht nga ish-mbështetës të tij se e ka yshtur vetë vrasjen e Hajdarit.
***
I bën thirrje prokurorisë për të hetuar krimin pervers të Canes ky autokrat i plagosur dhe i plakur sa të duash, por ende me disa dhëmbë në gojë, që ushtroi presione të paturpshme dhe të paprecedenta mbi kryeprokuroren Ina Rama për ta penguar të hetonte për vrasjet e demonstruesve të pafajshëm më 21 janar. I bën thirrje prokurorisë të veprojë ky ish-kryeministër me duar ende të gjakosura që në shkelje të hapur e brutale të Kushtetutës, pengoi prokurorinë të kryente ndalimin e drejtuesve të Gardës, një krim tjetër evident i Berishës i pandëshkuar edhe sot e kësaj dite.
***
Ashtu si i mbeturi në shkretëtirë turret drejt një pellgu me ujë, Berisha turret drejt perversitetit të Canes dhe e shpall simbol të “Rilindjes”. Gati sa nuk thotë që në krye të “Rilindjes” nuk është Edi Rama por vullnetari Cane! Po kush ka thënë se të gjithë njerëzit, nëpunësit, veprimtarët e Rilindjes janë engjëj? Kush ka thënë se me ardhjen në pushtet të Rilindjes do të mbretërojë kudo virtyti? Në fakt, këto janë ekzagjerime që Berisha i bën ngaqë nuk po gjen dot material të akuzojë lidershipin e “Rilindjes”, Kryeministrin, ministrat. Prandaj e paraqet perversitetin e Canes sikur të jetë perversiteti i Ramës apo sikur vullnetari Cane, të jetë djali i deputetit Kokëdhima. Edhe në komunizëm, dreqi e mori, Enveri të kërkonte llogari për bëmat deri të dajës apo të xhajës. Berisha po shkon më larg se Enveri. Kjo që bën Berisha nga marrosja për pushtet është njësoj si t’i kërkosh një gjenerali llogari për perversitetin e një ushtari. Pyll pa derra nuk ka. Perversë të tillë si vullnetari Cane mund të ndeshësh kudo. Por ata mund të shërbejnë si kauzë politike vetëm kur shfaqen në lidershipin e një partie a qeverie ose si dukuri masive e një partie a lëvizjeje. Se nëse një vullnetar pervers nga qindra mijë që ka PS na shitet si simbol i “Rilindjes” çfarë janë vetë Berisha dhe Basha që në majën e shtetit, nga dritaret e Kryeministrisë menaxhuan (dhe kemi të drejtë të dyshojmë, për shkak të obstruktimit nga ata vetë të hetimeve, se urdhëruan të qëllohet) një operacion kriminal ushtarako-policor që çoi në vrasjen e 4 demonstruesve dhe plagosjen e disa të tjerëve!
***
Perversiteti i Canes është krim personal i tij. Ai nuk mund të jetë krim i lidershipit të PS, as simbol i “Rilindjes”. Në të kundërt, krimi i Berishës dhe Bashës më 21 janar nuk mund të jetë thjesht personal. Ai nuk mund të mos jetë krim simbol i “Ringritjes” berishiste. Që krimi të jetë simbol i një partie duhet të jetë në kokën e asaj partie. Dhe krimi i 21 janarit është krimi i kryetarit të PD, i kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm që, me shumë gjasa, kanë urdhëruar vrasje qytetarësh. 21 janari shënon kriminalizimin diktatorial dhe të përgjakshëm të qeverisjes. Një rrezik ku e ku shumë herë më i madh për shtetin dhe fatet e tij se perversiteti i skajshëm i një personi pa pushtet si Cane. E vetmja ndjesë që duhet të kërkojë PS është që ka toleruar që struktura vullnetare të marrin përsipër detyra që duhet t’i kryejnë zyrat e punës të ministrit Velia. Vullnetarizmi jo në vetvete, por si dublim i pushtetit, është një simptomë e partisë shtet dhe ka qenë një rudiment enverist prezent edhe në qeverisjet e PD, LSI apo edhe PS. Prandaj “Rilindja” duhet ta çrrënjosë atë që të rilindë shtetin.
***
Perversiteti i Canes nuk mund të shërbejë dot si kauzë për të ndërsyer shqiptarët kundër “Rilindjes” për të risjellë në pushtet për të tretën herë, perversitetin politik berishist. Edhe po të pranoheshin lidhje të tilla të shkurtra, Berisha del prapë i humbur moralisht. Se nëse duhet të japë llogari Rama për vullnetarin Cane që nuk e njeh as për fytyrë, pse të mos japë llogari Berisha për dy nga badigardët e tij të afërt që janë faktuar si pjesëmarrës në vrasjen e Azem Hajdarit? Me “logjikën” pa logjikë të Berishës (edhe të Bashës që s’ka dy herë logjikë, sepse ka “logjikën” pa logjikë të Berishës) duhet që një politikan të japë llogari edhe për perversitetet e komshiut apo një bashkatdhetari çfarëdo. Është një pretendim qesharak dhe i mjerë që lakmon një strategji që vetëm një mendje politike perverse mund ta lakmojë.
***
Vetëm sikur qeveria “Rama” të çmendet dhe të bëjë atë që bëri Saliu më 21 janar, pra të vrasë qytetarë të pafajshëm, vetëm atëherë “Rilindja” mund të barazohej në krim me “Ringritjen” e Saliut. Dhe vetëm atëherë aliazhi “Salibasha” mund të kërkonte të vinte në pushtet si një e keqe e barazuar me një të keqe tjetër në pushtet. Por edhe nëse shqiptarët, të mërzitur jo vetëm nga pasojat e krizës së sotme jo pa rrënjë në aventurat e ish-qeverisjes 8-vjeçare të Saliut, por edhe nga traumat e rrumpallës mbi dy dekada me bashkautor Saliun, do dalldisnin të zgjidhin mes këtyre dy të këqijave dhe jo një alternative të tretë, të palidhur me të keqen. Por deri në këtë rast hipotetik, alternativa “Salibasha” do të mbetet alternativa më e zezë e kryekrimit dhe korrupsionit në qeverisje, alternativë që vështirë se ka perversitet që ta lajë e pastrojë.
Top Channel