PS: Basha të japë dorëheqjen

17/08/2014 00:00

Deputetja e Partisë Socialiste, Esmeralda Shkjau, në një deklaratë publike për mediat ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe kreun e Partisë Demokratike, se nuk është zëri i qytetarëve të Tiranës, siç premtoi se do të ishte, por është kthyer në papagall të katragjyshit të PD.

Sipas saj, Basha duhet të japë dorëheqjen, sepse Tirana po mbytet në papastërti, teksa kryebashkiaku po bën përditë pis ekranet e televizioneve e të rrjeteve sociale me fjalorin e ulët e të dhunshëm të shpifjeve e fyerjeve për kundërshtarët politikë.

“Lulzim Basha që ka braktisur Tiranën dhe që rikthehet në detyrë vetëm për të ushqyer me leje ndërtimi e me semaforë disa klientë banale të pushtetit të tij të falimentuar, duhet të japë dorëheqjen. Të gjithë e dinë se ai nuk e fitoi Tiranën me vota, por e grabiti atë me duart e një gjykate të korruptuar. Të gjithë e dinë po ashtu se kur kërkonte votat, Luli thoshte se Tiranës i duhej një kryebashkiak që të merrej me qytetin, jo me politikë. Por, të gjithë e panë dhe e shohin përditë se, nga zëri i qytetarëve të Tiranës, që premtoi se do të ishte, kryebashkiaku ynë u bë papagalli i katragjyshit të Partisë Demokratike” u shpreh deputetja Shkjau.

“Luli duhet të japë dorëheqjen, sepse Tirana po mbytet në papastërti, teksa kryebashkiaku po bën përditë pis ekranet e televizorëve e të rrjeteve sociale me fjalorin e ulët e të dhunshëm të shpifjeve e të fyerjeve për kundërshtarët politike. Jo më larg se dje, ai u bashkua në një duet të turpshëm me plakun e PD-së për të abuzuar me një grua, duke politizuar pa asnjë skrupull aktin e shëmtuar ndaj saj, nga ana e një punonjësi të zyrës së një deputeti socialist. Ndërkohë që Policia e Shtetit bëri detyrën e saj dhe e arrestoi keqbërësin, Luli dhe plaku sulmuan policinë. Ndërkohë që Ministri i Brendshëm iu gjend pranë viktimës, Luli dhe plaku sulmuan ministrin e Brendshëm. Ndërkohë që zyra e deputetit e dënoi me forcë aktin e turpshëm të një punonjësi, Luli dhe plaku sulmuan deputetin. Ndërkohë që ne provuam edhe në ketë rast, se jemi ndryshe nga ata, që një ngacmues seksual e vunë në një detyrë të lartë, pasi gjobitën rëndë median që e denoncoi, Luli dhe plaku na sulmojnë ne, se s’dinë të bëjnë asgjë tjetër”, deklaroi më tej deputetja e PS Shkjau.

“Plaku shkatërroi PD-në, Luli është në të drejtën e tij ta vazhdojë shkatërrimin e PD-së, por duhet të dorëhiqet nga Bashkia e Tiranës, sepse Tirana s’ka pse vuan në kurriz pasojat e një njeriu, që as e ka zgjedhur, e as di të bëjë tjetër gjë përveçse të shkatërrojë”, përfundoi deklaratën e saj Esmeralda Shkjau.

Top Channel