Papa: Mos kini frikë nga të krishterët

17/08/2014 00:00

Papa Françesku, në një fjalim drejtuar qartësisht ndaj vendeve me regjime komuniste si Kina, Korea e Veriut dhe Vietnami, është shprehur gjatë së dielës se qeveritë aziatike nuk duhet t’u frikësohen të krishterëve, pasi ata nuk duan të vijnë si “pushtues”, por si pjesë integrale e kulturave lokale.

Papa i bëri komentet e tij, disa prej të cilave të papërgatitura më herët, në një adresim të bërë para 70 Peshkopëve nga 35 vende aziatike të mbledhur në Haeme, në Jug të Seulit, në ditën e parafundit të vizitës së tij në Korenë e Jugut.

Ai u tha atyre se Kisha është e angazhuar të dialogojë me cilindo, duke thënë se “në  frymën e dëshirës, me zell të madh shpresoj që këto vende të kontinentit tuaj, me të cilat Selia e Shenjtë ende nuk gëzon marrëdhënie të plota, të mos hezitojnë për dialog të mëtejshëm për të mirën e të gjithëve”.

Papa Françesku shtoi më pas, sërish duke dalë nga plani i përgatitur, se e kishte fjalën “jo vetëm për dialog politik, por edhe vëllazëror”. “Të krishterët nuk vijnë si pushtues”, të cilët të zhdukin kombet dhe identitetet kulturore, por duan të “ecin së bashku me ju”.

Fjalët e Papës iu drejtoheshin disa vendeve në Azi, ku Kisha konsiderohet e lidhur me kolonizimin, veçanërisht Kinës, që nuk ka marrëdhënie formale që prej ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste në vitin 1949.

“Është një ofertë, një dëshirë, një gatishmëri për t’u angazhuar në dialog për mirëqenien e Kishës dhe njerëzve në këto toka”, tha zëdhënësi i Vatikanit, At Federico Lombardi për reporterët. “Katolikët e mirë mund të jenë gjithashtu qytetarë të mirë. Autoritetet nuk duhen t’i frikësohen Selisë së Shenjtë, si diçka që ushtron pushtet në tokën e tyre. Është thjesht aspekt fetar”.

Kisha katolike në Kinë është e ndarë në dy komunitete; një Kishë “zyrtare” e njohur si “Federata Patriotike”, që i përgjigjet Partisë Komuniste, si dhe Kisha “underground”, e cila betohet për besnikëri vetëm ndaj Papës në Romë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB