Nga Ylli Polovina – Pas treqind ditëve, një përmase kohore të zgjedhur nga kabineti qeveritar për të dëshmuar vetëm sukseset e tij dhe ku nuk pati asnjë vetëqortim, tani po afron viti i parë i administrimit të Shqipërisë prej rozëve. Një analizë e drejtpeshuar prej tyre, me këtë rast, me siguri është e domosdoshme, ndryshe entuziazmi i natyrshëm dhe i kuptueshëm i një ekipi të ri, si edhe e një Kryeministri të ri, mund të cedojë në vetëkënaqësi, në eufori dhe më tej akoma: në delir.
Ky cen i fundit, i cili nuk vetëdallohet lehtë, shfaqet te të gjithë protagonistët e pushtetit publik, këngëtarë qofshin, gazetarë, shkrimtarë, mjekë apo edhe nëpunës të lartë të njohur. Veç te njerëzit e pushtetit partiak e politik vjen më shpejt dhe zvenitet tepër ngadalë, ndonjëherë as edhe ikën fare, duke u shndërruar në sëmundje profesionale kronike.
E spikatim këtë rrethanë, sepse, nga disa shenja të qarta, në popull përherë e më shumë po besohet se tashmë ka ardhur koha të jemi më të vëmendshëm për të kryer rol dhe ndikim qytetar. Për t’u bërë faktor. Pra për të kontrolluar qeverinë, madje edhe shumicën parlamentare.
Nevoja për pjesëmarrje më të madhe qytetare po ndodh ngaqë cilësia e drejtimit të Shqipërisë, e cila në parim vazhdon të ecë në rrugën e duhur, po rëndohet prej disa defekteve të vjetra të saj. Në këtë komunikim me lexuesin nuk do të shprehemi për ndikimin në këtë cilësi drejtimi të raporteve të Presidentit me Kuvendin apo me qeverinë si edhe e anasjella. As edhe e influencës që kanë marrëdhëniet e shumicës parlamentare me pakicën. Thjesht do të rrimë një çast mbi ato mes kabinetit qeveritar rozë dhe opozitës partiake blu.
Ndryshe nga herët e tjera në historinë e periudhës së pasrënies së diktaturës, ekipi i ri me Kryeministrin në krye ende nuk e ka shkëputur nga e folura politike një slogan të fushatës së vet zgjedhore, sipas të cilit në njëzetë e ca vitet e fundit qenë bërë gabime të rëndësishme. Për pasojë rindërtimi shtetëror, social e shpirtëror i vendit duhej rinisur nga fillimi. Me pak fjalë Rilindje do të qe, as më shumë dhe as më pak, rifillim.
Në të vërtetë Shqipëria ka dy rilindje të saj të mëdha: atë të shkëputjes prej sundimit oriental osman, duke u shpallur shtet i mëvetësuar properëndimor, si edhe atë të protestave deri në rrëzimin e diktaturës staliniste. Në këto dy epoka kanë vepruar politikanë të ndryshëm, në jetën e vendit me ndikim kryesisht pozitiv apo negativ, por nuk kanë qenë ata krijuesit e frymës rilindëse. Rilindjet nuk i sjellin personat, por masat e mëdha popullore.
Ja pse, për një mendim thjesht personal, për një Rilindje të tretë nuk kishte nevojë. Ca më pak për një rifillim. Me të mirat dhe të këqijat e tyre disa ekipe blu dhe rozë e patën qeverisur Shqipërinë dhe, duhet pohuar, nuk e kanë kthyer historinë e saj mbrapsht. Në 2013 lypej vetëm një riqeverisje, një riadministrim. Mundësisht me një stil tjetër nga i mëparshmi.
Një vit më parë, më shumë se vetë individët politikanë, qe konsumuar dhe bërë fare pak e vlefshme mënyra e dikurshme e qeverimit. Me shmangien, nëpërmjet votës popullore, të dy krerëve historikë të partisë së trëndafiltë dhe asaj të kaltër, Shqipëria e dekadës së dytë të mijëvjeçarit të tretë, këtë gjykim të saj pati konfirmuar qartësisht. Aspak për t’i mohuar dhe fshirë kontributet e tyre personale.
Ata dy që ikën (sepse i treti i dy të parëve vijon të bashkëjetojë me të dytët) u zëvendësuan prej një çifti tjetër. Kronologjikisht këta janë të brezit të ri, në mendësi pastaj çështja ndërlikohet. Në fund të fundit, shkëputje këputëse nuk mund të ketë dhe as duhet kërkuar, ndryshe do të na shfaqeshin para syve disa Politikanë të Rinj, siç dikur Njeriu i Ri i socializmit komunist.
Le t’i kenë shenjat e kohës së vjetër, pra të fazës së parë të pluralizmit. Ato janë ura të domosdoshme komunikimi midis periudhave. Edi Rama do të kishte patjetër diçka prej stilit të dikurshëm të Fatos Nanos apo Ilir Metës, Lulzim Basha të Sali Berishës. Madje i kanë të nevojshme, sepse edhe një pjesë e elektoratit të tyre partiak i ruan me fanatizëm këto gjurmë. Problemi mbetet që e reja e stilit udhëheqës të përbëjë pjesën dërmuese të veprimtarisë së kësaj gjenerate të dytë politikanësh VIP të pasdiktaturës.
Pikërisht këtu ka diçka që mund të funksionojë më mirë.
Me ngulëkëmbjen se qeveria e tij e vitit 2013 është më në fund ajo e duhura e pas motit 1991, Edi Rama ka sipërmarrë disa reforma tërësore dhe mjaft interesante të vetë sistemit tonë social e politik, sidomos në ato të dobisë së drejtpërdrejtë për popullin: strukturat e shërbimit shëndetësor, të arsimimit dhe të qeverisjes territoriale. Rezultatet tek e para tani për tani janë vetëm disa thërrime, por në fund të fundit çmimet e disa ilaçeve janë ulur. Aksioni për të “trembur” dhe kufizuar bashibozukllëkun e disa universiteteve private, nuk mund veç në parim të vlerësohet dhe mbështetet.
Rindërtimi territorial është padyshim reforma më e madhe e qeverisjes së re, sepse pakësohet, të paktën numerikisht, ai grup shoqëror kryetarësh të pushtetit lokal, i krijuar pas vitit 1991, i cili nuk ngopet në shpërdorim fondesh publike dhe fryrje të barkut. Shihni një takim zyrtar të tyre dhe pastaj vështroni një mbledhje pune të sipërmarrësve privatë të ekonomisë! Shumica e këtyre të fundit janë “elegantë”. Jo se dinë të ushqehen, por ngaqë i tret ankthi i konkurrencës dhe i mbijetimit.
Ndërkaq, qeverisja “Rama” nuk ka asnjë rezultat të rëndësishëm në reformimin e sektorit kulturor dhe as e ka kaluar nëpër mend një rishikim të atij parlamentar, të paktën cilësinë e zgjedhjes së jo pak deputetëve. Flitet edhe për disa reformime në paralele të tjera sektorësh më të ngushtë, si për shembull te policia, por asgjë e posaçme me të vërtetë rinovuese, deri tani këtu nuk duket. Sidoqoftë ndërhyrja kundër drogëmbjellësve në Lazarat, duke mos qenë, në rrethanat ndërkombëtare kur ndodhi, aspak politike, është dëshmi inkurajuese.
Qeverisja “Rama”, duke pasur bashkë me Ilir Metën dhe së fundi edhe me ndonjë grup partiak modest, shumicën parlamentare, në rishikimin dhe rindërtimin e sistemit po shkon edhe më tej: po bën trysni mbi atë gjyqësor, i cili është një pushtet tjetër. Reformimi i tij është çështje urgjente, por kurrë nuk mund të kryhet dhe të pranohet pa opozitën politike.
Rivali, kryetari i bluve, Lulzim Basha, po lëviz të gjejë një rol të ri, në përputhje me çfarë po bën (apo shfaqet) shefi i rozëve. Një pjesë e mesazheve të deklaratave të tij apo e titujve të gazetës së partisë, dëshmojnë se është në kërkim, por ende tepër larg vetëgjetjes. Ka rrethana që e kufizojnë, patjetër. Përreth tij vrundullon ende shumë stil i vjetër, i para 2013-s.
Do të qëndronim një çast vetëm në njërën pamje të kësaj dukurie jo pozitive: lufta politike ndaj kundërshtarit duke tentuar cenimin e rendit publik. Thirrjet në çdo rast, ndonjëherë edhe ditë për ditë, për greva urie me vetësakrifikim jete, për protesta masive në sheshe, revolta kundër qeverisë, mosbindje sociale e deri, këto ditë, nëpërmjet një ish-këshilltari të një Kryeministri rozë, për ta braktisur Shqipërinë, sepse aty nuk ka më siguri jete, do të qe mirë të hiqeshin njëherë e mirë prej fondit aktiv të mjeteve politike.
Madje nuk janë fare të tilla.
Para vitit 2013 në një mëkat të tillë ranë edhe të trëndafiltët, duke nxitur largime masive të të rinjve nga vendi pikërisht kur BE do të vendoste heqjen e vizave për shqiptarët.
E vërteta është se kjo lloj antipolitike dëshmon se nëpër selira partish nuk e njohin fare shqiptarin e shumtë, por vetëm atë të turmëzuar nëpër mitingje të organizuara nga aparati i zyrave. Shqiptari real jo vetëm ka fituar imunitet e indiferencë ndaj kësaj mënyre politikushtrimi, por është edhe krejtësisht kundër. I ri apo i vjetër në moshë, njeri i thjeshtë ose sipërmarrës, banues në veri apo në jug, hollë ekonomikisht ose i pasur, me prona apo pa fare asnjë të tillë, ai dëshiron vendosmërisht të ketë qëndrueshmëri maksimale të rendit publik.
Madje mes shqiptarëve po rritet me shpejtësi dëshira-ëndërr për një komb të fortë.
Pandjeshmërinë totale ndaj thirrjeve të ashpra ai e ka tashmë të shfaqur e të rikonfirmuar me dhjetëra herë: nuk i është përgjigjur asnjë kushtrimi të tillë.
Opozita politike, tashmë që qeverisja “Rama” po mbush vitin e parë, është tepër e nevojshme të funksionojë me stil të ri dhe energjikisht. Kjo do të thotë jo bllokoni rrugët ndaj ndarjes territoriale, por shpjegim dhe argumentim të vazhdueshëm specialistësh ku i ka ajo reformë të metat dhe hiletë. Po ashtu sqarim me durim, hallkë pas hallke, për universitetet private të mbyllura apo të pezulluara. Deri edhe për ngjarjen shokuese që ndodhi në Bankën e Shqipërisë. Disa gjeste mbrojtjeje që ndaj përgjegjësve po bëhen përsëritshëm, po ia rrënojnë edhe më elektoratin tash që ai duhet të rritet vrullshëm.
Ndryshe rikthimi në qeverisje i të kaltërve do të ngjasë pas dy mandatesh të plota, pra pas tetë vitesh. Por edhe këtë herë, më 2021, për ta thënë më troç, heqja e një qeverisjeje rozë, do të ndodhë siç për blutë ngjau një vit më parë. Jo se qe meritë e rivalit në opozitë, por sepse thjesht u konsumua.
Me pak fjalë, me dorën e qetë të popullit para kutive të votimit, ra vetë.
Top Channel