Nga Spartak Ngjela – Gjithçka e rëndë që po shohim të spikasë si e denoncuar në Shqipërinë e sotme, vjen si pasojë e mungesës së forcës së ligjit dhe ekzistencës së një burokracie piraterike në drejtim. Forca e ligjit vjen direkt nga raporti që shoqëria ka me kontrollin e qeverisë dhe të të gjitha institucioneve politike qeverisëse në vend.
Por ky raport është i drejtë aq sa e ngritur është në fakt vetë shoqëria në ndërgjegjen e saj për të ditur se, çdo qeverisje, i takon asaj që ta kontrollojë, ta zgjedhë apo ta rrëzojë nëpërmjet konceptit aktiv të drejtësisë shoqërore. Sot në Shqipëri s’ka drejtësi shoqërore; domethënë sigurisht që edhe shqiptarët nuk kanë mundësi të kontrollojnë asgjë në institucionet politike që i qeverisin.
Për këtë arsye, qeveri të korruptuara që kanë ardhur njëra pas tjetrës në 22 vjet rresht në Shqipëri, kanë sjellë këtu këtë gjendje: Një Bankë Kombëtare që nuk dihet se sa para i është vjedhë nga drejtuesit e saj absolut;
Një mori universitetesh private, rreth 40 të tillë, që kanë shitur diploma dhe kanë prekur shoqërinë me injorancë në drejtim; universitete shtetërore publike, sidomos në rrethet e vendit, që kanë shitur dhe shesin notën dhe provimin;
Një Komision i Kthimit të Pronave, që u ka grabitur vazhdimisht pronën pronarëve të ligjshëm dhe ua ka dhënë këtë rrethit familjar të kryeministrave, por që grabit për pushtetarët apo rrethet e tyre edhe pronën publikë;
Kryeministra që kanë shitur interesin kombëtar për xhepin e tyre; një kryeministër që ka shitur territorin kombëtar dhe kërcënon gjithë ditën shqiptarët edhe si kryeministër (kur shiti detin), por edhe tani që nuk ka asnjë post;
Ministra që kanë shitur tenderët e rrugëve, të objekteve të ndërtuara publike, madje çdo tender që është bërë nëpër ministritë e këtij shteti;
Ndërmarrje të mëdha shtetërore si KESH-i dhe Albpetroli, të grabitura në mënyrë barbare; një drejtori e ruajtjes së konsumatorit, që është vetë promotori i futjes dhe tregtimit të ushqimeve të skaduara në Shqipëri, me shitje të autoritetit të shtetit, sigurisht;
Spitale shtetërore dhe private që, pasi grabisin lekun e pacientëve, s’kanë asnjë kontroll në lidhje me shërbimin hospitalor të sëmundjes: shqiptarë që, pasi kanë paguar qimet e kokës, vdesin nëpër operacione terciarë, në të cilët s’vdes më asnjë njeri sot nëpër botë – dhe për ta s’ka asnjë kontroll ligjor. E pse të zgjatëm më tej: ky është shteti shqiptar.
Dhe e dini pse është i tillë? sepse, siç u theksua, nuk funksionon ligji, dhe organet e drejtësisë janë bashkuar me këtë lukuni vjedhjeje. Sepse organet e ngarkuara për të ruajtur ligjin, prokuroria dhe gjykata, janë edhe këta të angazhuar me burokracinë piraterike që u theksua më lart.
Kjo është një pirateri e mirorganizuar që grabit shqiptarët, që përditë fundos shtetin në mosekzistencë dhe, në çdo çast, rrënon mirëqenien e shqiptarëve. Të gjitha ato që shpreha më lart janë të dokumentuara sot: por s’ka drejtësi që të ndihmojë shqiptarët për largimin e kësaj gjëme piraterike. Ja përse Perëndimi politik po kërkon reformën në drejtësi. Po kujt ia kërkon?
Deri tani ai ia ka kërkuar Kryeministrit aktual shqiptar në çdo takim, që të “presë nyjën gordiane” të abuzimit makabër që ka ndodhur këtu më pushtetin; sepse Perëndimi politik e njeh shumë mirë gjendjen në Shqipëri, tamam ashtu siç u trajtua më lart.
Por nesër, nëse Kryeministri aktual nuk do ta presë “nyjën gordiane të abuzimit në Shqipëri”, ajo politikë perëndimore sigurisht që do t’u drejtohet shqiptarëve. Kjo gjendje duhet ndryshuar menjëherë.
Top Channel