Nga autorët e ‘Zanit të Naltë’ tek elita e sotme myslimane

12/08/2014 00:00

Nga Mustafa Nano – Para ca kohësh kam pasur në duar një koleksion të viteve ’20 të shekullit të shkuar të ‘Zanit të Naltë’, një e përmuajshme e myslimanëve të Shqipërisë që pa dritën e botimit për më shumë se 15 vjet me radhë (1923-1939), dhe ngasja më e parë gjatë leximit ka qenë një kuturisje për të bërë një ballafaqim të elitës myslimane të atyre moteve me elitën myslimane të ditëve të sotme. Kjo e fundit është, me siguri, më e arsimuar, më e sofistikuar në pikëpamje intelektuale e kulturore, më protagoniste në jetën publike, më e gatshme “për t’u ngrënë” në ringun e hapësirës publike për arsye ideologjike e doktrinore me njerëz që punët e kësaj bote (dhe të asaj tjetrës, në daçi) nuk i shohin njësoj me ta.

Por elita myslimane e para Luftës II Botërore ka qenë më pak fanatike, më autokritike e më atdhetare, s’ka gjë se shqiptarët e kanë parë dhe llogaritur, në një numër rastesh pa të drejtë, si një faktor me ndikim shumë të dobët e periferik, madje dhe negativ, në lëvizjet politike e kulturore që kanë synuar afirmimin e konsolidimin e shtetit e të kombit shqiptar. ‘Zani i Naltë’ i atyre kohëve dallohej për forcën e pasionin, me të cilin promovonte e mbronte interesin kombëtar, dhe për një hapje mendore ndaj vlerave e arritjeve të botës jo islame, sidozot asaj perëndimore. Sa më sipër, po e ilustroj nëpërmjet disa nënvizimeve që bëheshin nga autorë të ndryshëm, rëndom anonimë, në shkrimet e tyre të publikuara në atë revistë (citimet po jua sjell në shqipen e kohës).

“[Ma i pari urdhën i naltë në Kuran] asht dashtunija për Atdheun… këjo dashtunije asht dega ma e nalt e besimit”, shkruhet në një nga shkrimet e para të numrit të parë. Po aty thuhej se “[përveç vllazënve myslimanë], kemi edhe një vllazni kombtare të gjithë elementevet qi gjinden n’Atdhenë e dashtun t’onën”. Më tutje, në një vjershë, janë dy vargje që thonë: “Feja myslimane të shtrëngon ma shumë/për atdhenë e dashur të derdhsh gjak si lumë”.

E në një artikull të një numri të vitit 1924, në përpjekje për të sublimuar dashurinë për Shqipërinë, autori i referohet një “norme patriotike” japoneze: “[Japonezëve], për të mos qitur nga mendja atdheun e tyre, midis dy shollëve të këpucëve u shtrojnë pak dhé nga dhéu i Japonisë, që kështu të mos shkelin tjatrë dhé veç dhérit të tyre”. Më tej, prej kësaj reviste marrim vesh se me rastin e festës së shpalljes së pavarësisë, në medresenë e Tiranës, recitoheshin nga nxënësit edhe vargje të llojit “si yll i veçuar prej qiellit/prure kohën e Skënderbeut”.

Një lexuesi të vëmendshëm nuk mund të mos i bjerë në sy edhe një dispozicion i autorëve të revistës për t’u ndeshur me fanatikët e për t’i dhënë munxët fanatizmit. “Në fet t’onë fanatizma ësht e mallkuar”, thuhet në një shkrim. Ndërsa në një tjetër: “Fanatizma asht katili i arsyes, asht një armik qi njeriut ia shkurton gjykimin e kuptimin”. Ne që jetojmë në këto kohë nuk mund të mos kapemi në befasi nga pohime të tilla, ashtu si nuk mund të mos kapemi në befasi edhe nga gatishmëria për ta parë perëndimin në disa drejtime si një pikë mbërritjeje. Perëndimit i kritikojnë “shthurjen”, por i admirojnë disiplinën, zellin për punë “të pa-prashme”, zhvillimin e shkencës e të dijeve, lidhjen me traditat e tyre etj., etj.

Myslimanët shqiptarë kanë nevojë sot më shumë se kurrë për këtë frymë të ‘Zanit të Naltë’, në të cilën bëhen bashkë dashuria për besimin me dashurinë për atdheun e për njeriun, pavarësisht nga besimi e atdheu që ky i fundit ka. Në diskutime egzegjetësh mund të vihet në diskutim e mund të qortohet kjo përpjekje për të nxjerrë në pah me hir, me pahir nënvizime kur’anike në favor të dashurisë për atdheun, a në favor të tolerancës për ata që janë të një besimi tjetër, por për ne shqiptarët, myslimanë e jo myslimanë, ky është një diskutim që nuk na çon asgjëkund.

E kjo duhet të jetë arsyeja që autorët e ‘Zanit të Naltë’ kanë qenë të prirur të besojnë (nuk është çudi të kenë qenë të bindur), se dashuria për atdheun, në mos është e shenjtë, me siguri nuk bie ndesh me vetë librin e shenjtë. E në këtë kuptim, ata kurrsesi nuk do të binin dakord në rastin më të mirë me përpjekjet që bëhen sot nga ca e ca për të mos e lënë Shqipërinë “myslimane” të bëhet pjesë e botës së përparuar apo moderne, apo në rastin më të keq me fushatat e rekrutimit të myslimanëve për të luftuar në emër të fesë në Siri, në Irak a gjetkë, e me reagimin e heshtur të myslimanëve të tjerë ndaj këtyre dukurive a ngjarjeve.

Nuk di nëse myftiu i zonës së Shkodrës, Muhamed Sytari, është dakord me çfarë unë kam shkruar më sipër. Por unë s’e kam për gjë të them (dhe kjo nuk është një gjë që më ndodh çdo ditë) se jam shumë dakord me thelbin e shkrimit të myftiut. Të kuptohemi, unë nuk jam as mysliman, e as fetar. Kam një vizion mbi botën që më puqet shumë pak me atë të Sytarit. Po në atë shkrim ai ngrihej kundër fanatizmit fetar, kundër atyre që urrejnë e vrasin në emër të fesë, e fliste, përveçse si mysliman, edhe si qytetar shqiptar, e në këtë kuptim shkrimi, pavarësisht nga vizioni e lënda fetare që përmbante, m’u qas si një gjë e hareshme.

Muhamed Sytari kish rigjetur frymën e ‘Zanit të Naltë’. E demonstronte qysh në titull këtë gjë: “Fanatizmi është një entuziazëm që djeg, jo një e vërtetë që ndriçon”. E demonstronte më tej gjatë shkrimit duke denoncuar si krimet kundër myslimanëve në Rripin e Gazës, ashtu dhe krimet kundër katolikëve që kanë për autorë militantët e kalifatit putativ islamik. Dhe lidhur me këtë të fundit thoshte: “U lëndova shumë kur pashë se harfi kur’anor ‘Nún’, i shtrenjti ‘Nún, për të cilin Zoti betohet në librin e tij, u vendos si shenjë racizmi e intolerance mbi shtëpitë e të krishterëve të pafajshëm në Musilin e Irakut të Sotëm.

A ka një logjikë fetare e islame një veprim i tillë? A mund ta pranoj unë si mysliman këtë spastrim etnik e fetar, gjoja në emër të Islamit? A mund ta pranoj unë si mysliman i thjeshtë, por edhe si prijës fetar një veprim të tillë në emër të fesë sime? Jo, KURRË. Kjo nuk është feja ime. Ky nuk është Islami i Kur’anit dhe i Hz. Muhamedit”. Germat kapitale në fjalën ‘KURRË’ janë të tijat.

Njerëz të tillë brenda Komunitetit Mysliman duhet ta thonë të tyren më shpesh e më fort. Ata duhet të marrin përgjegjësi e të mbajnë përgjegjësi. Ata duhet ta marrin situatën në dorë, e nuk duhet të lejojnë më që zëri publik i myslimanëve shqiptarë të jetë vetëm ai i atyre që kanë shkuar të luftojnë në Siri e në Irak, i atyre që dëgjohen të japin herë pas here deklarata që të ngjethin mishin, apo edhe i atyre që kërkojnë të jenë protagonistë të jetës publike me sjelljet e tyre agresive, ekstremiste, radikale.

Përveç kësaj, ata duhet të bëhen të gjallë sidomos për t’i dalë zot një pakti të qëmotshëm, por prore të respektuar mes shqiptarëve me fe apo pa fe, të njërës fe apo të tjetrës, që është lidhur me idenë se “feja është e rëndësishme, por edhe atdheu është i rëndësishëm, gjithashtu”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA