Irak, SHBA vijojnë sulmet ndaj ISIS

12/08/2014 00:00

Dhjetra mijëra civilë kanë mbetur të bllokuar nga militantët në malin
Sinjar, në veri të Irakut, teksa kanë nevojë për “ndihmë për t’u
shpëtuar jetën”, paralajmërojnë Kombet e Bashkuara.

Pjesëtarë të sektit Yazidi u zhvendosën në malin Sinjar 10 ditë më parë, pasi luftëtarët e Shtetit Islamik (IS) pushtuan vendin e tyre ku jetonin.

Ndërkohë, sulmet ajrore të SHBA-ve vazhduan edhe gjatë së martës, bëri të ditur Pentagoni, duke theksuar se një avion i telekomanduar shënjestroi një bazë mortajash të IS pranë trupave kurde. SHBA-të kanë konfirmuar gjithashtu edhe nisjen e furnizimeve me armatime të forcave kurde, që njihen si Peshmerga, e që po luftojnë kundër IS në veri.

Të hënën, presidenti i Irakut i kërkoi kryeministrit të emëruar Haider al-Abadi të formojë një kabinet të ri qeveritar, duke snobuar të pabindurin Nouri al-Maliki. Ky i fundit e quajti emërimin e Abadit si një “shkelje të Kushtetutës”, por të martën urdhëroi forcat e sigurisë të mos ndërhynin në krizën politike.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij zyrtare, Maliki tha se forcat e sigurisë duhet të fokusohen më së shumti në mbrojtjen e vendit.

Ndërsa OKB ka vijuar me paralajmërimet se rreth 1,2 milionë vetë janë zhvendosur brenda kufirit iraken. Një punonjës i OKB-së në Irbil tha për BBC se shumë irakenë të etnisë Yazidis janë arratisur nga pjesa veriore e malit gjatë 72 orëve të fundit dhe përmes lumit Tigër kanë kaluar në Siri, ku do të merrnin ndihma.

Por, një punonjës shpëtimi i këtij komuniteti, i cili ndodhej në bordin e një helikopteri të Forcave Ajrore irakene që po evakuonte refugjatët e bllokuar, e përshkroi situatën si një “genocid”, nga i cili po shkaktohen me qindra viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB