
Iraku krahas luftës ndaj militantëve të ISIS po kalon dhe trazira politike të brendshme. Ambicia e kryeministri aktual Nuri al Maliki për të drejtuar vendin në një mandat të tretë vazhdon.
Presidenti Fuad Masum emëroi nënkryetarin e Parlamentit, Haider Al Abadi, me detyrën e formimit të ekzekutivit të ri, por Maliki nuk tërhiqet nga vizioni i tij politik për të qeverisur edhe për 4 vite të tjera. Nga raportimet e fundit mësohet se aleatët e tij e kanë refuzuar emërimin e kreut të shtetit.
Por jo vetëm kaq. Edhe presionet e ndërkombëtarëve, kryesisht të SHBA, ndaj kryministrit janë rritur. Presidenti Obama dhe administrata e tij i mëshojnë idesë për një qeveri të unifikuar irakiane, për t’i bërë ballë kërcënimit të grupit ISIS.
Trazirat në Irak vazhdojnë. Mijëra njerëz janë zhvendosur nga qyteti Jalavla, në veri-lindje të Bagdadit pasi grupi militant ka fituar terren gjate përleshjeve me forcat kurde të cila po apelojnë për ndihmë ushtarake ndërkombëtare.
SHBA ka reaguar dhe ka nisur tashmë raundin e katërt të sulmeve ajrore të cilat kanë në shënjestër militantët e ISIS dhe infrastrukturën e tyre ushtarake pranë qytetit të Irbilit.
Më herët gjatë ditës Gjykata vendosi në favor të Al Malikit, pasi bëri publik verdiktin e saj se grupi shiit është më i madhi i dalë nga zgjedhjet e përgjithshme e rrjedhimisht ai ka të drejtën për të formuar qeverinë e re.
Haider al Abadi shihet si pasuesi i mundshëm i Malikit, i cili ka qenë kryeministër që prej vitit 2006, por që ka armiqësuar disa aleatë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilat e fajësojnë atë se ka dështuar të arrijë konsensusin dhe ka nxitur dhunën sektare që po përçan Irakun.
Në një postim në Twitter, Abadi tha se forcat qeveritare po lëvizin përreth kryeqytetit në pritje të shkeljes së sigurisë. Policia ka ngritur pika kontrolli nëpër autostradat madhore, disa prej të cilave me automjete të armatosura, ndërsa shumë rrugë janë mbyllur.
Nga ana tjetër, Maliki akuzoi presidentin Masoum, nga minoriteti etnik kurd, se ka shkelur Kushtetutën duke tejkaluar një afat ndaj tij, që t’i kërkonte bllokut më të madh politik në legjislaturën e re të nominonte një kryeministër dhe për të formuar një qeveri të re.
“Do të dorëzoj sot një ankesë zyrtare në Gjykatën Federale kundër Presidentit të Republikës, për shkak se ka kryer një shkelje të pastër kushtetuese për hir të llogarive politike”, tha Maliki në një fjalim televiziv.
SHBA: Qeveria e re, kritike për stabilitetin
Uashingtoni humbet durimin me Malikin. Kerry: Mos tensionojë më shumë situatën
Uashingtoni duket se ka humbur durimin me Malikin, i cili ka vendosur besnikët politik shiitë në pozicionet kyçe në ushtri, si dhe ka hequr paralele me ish-diktatorin e ekzekutuar Saddam Hussein, person për të cilin ai kishte komplotuar prej vitesh, i ndodhur në arrati.
Një zëdhënëse e DASH rikonfirmoi mbështetjen e Uashingtonit për “një proces zgjedhjeje të një kryeministri, i cili do të përfaqësojë aspiratat e popullit irakian, bazuar mbi një konsensus të përgjithshëm dhe duke qeverisur në një mënyrë gjithëpërfshirëse”.
Presidenti amerikan Barack Obama ka nxitur politikanët irakianë të formojnë një qeveri sa më gjithëpërfshirëse, gjë që do të përballonte edhe kërcënimin nga Shteti Islamik. Por, Maliki, i panjohur deri në vitin 2006 kur mori pushtetin me ndihmën e SHBA-ve, po qëndron i palëkundur kundër tyre.
Ndërkohë, Kerry tha se formimi i një qeverie të re në Irak është kritike sa i përket stabilitetit të vendit. Sekretari amerikan i Shtetit tha të hënën se kryeministri Maliki nuk duhet t’i acarojë më tepër tensionet politike.
“Procesi i formimit të qeverisë është kritik, sa i përket ruajtjes së stabilitetit dhe qetësisë në Irak. Ne shpresojmë që Maliki të mos lundrojë nëpër këto ujra”, tha Kerry për reporterët në Sidnei.
Top Channel