Gaza, armëpushimi i ri 72 orësh

11/08/2014 00:00

Një armëpushim i ri mes Izraelit dhe palestinezëve nisi ditën e hënë. Marrëveshja u arrit pas përpjekjeve të shumta të bëra në Egjipt, mes ndërkombëtarëve dhe forcave të kundërta politike të Lindjes së Mesme.

Nëse armëpushimi rezulton me sukses, Izraeli pritet të dërgojë një tjetër grup negociatorësh në Kajro për bisedime të mëtejshme, me qëllim arritjen e një pakti më të gjatë paqeje.

Por, nga ana tjetër, autoritete të Tel Avivit thonë se, pavarësisht nisjes së armëpushimit, janë dëgjuar shpërthimet e disa raketave, të cilat nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha.

Megjithatë, një skenar i tillë, që sulmet mund të vazhdojnë, ka gjasa të ndodhë, sepse palestinezët janë të dyzuar në vendimmarrjen e tyre për armëpushimin dhe thonë që misioni i Hamasit nuk ka përfunduar ende, ashtu sikurse dhe Izraeli kërkon me çdo kusht që ushtarët e Hamasit të çmilitarizohen dhe t’i japin fund bllokadës së tyre.

Nga ana e ndërkombëtarëve, kjo është konsideruar si çështje e vështirë për të arritur në një qëllim final të përbashkët, sepse si Izraeli dhe palestinezët janë të kundërt në qëndrimet e tyre.

Por, sipas palëve negociatore, të dy krahët e kundërt politik janë jo vetëm nën presionin e ndërkombëtarëve dhe presionin e botës arabe, për një armëpushim më afatgjatë, por gjithashtu dhe nën presionin e njerëzve në Gaza, të cilët duan të shohin fundin e krizës sa më shpejt.

Top Channel