Ebola, Nigeria shpall emergjencën

09/08/2014 00:00

Harta e vendeve të prekura nga virusi i Ebolës në Afrikën Perëndimore sa vjen e zgjerohet më shumë.

Nigeria deklaroi gjendjen e emergjencës. Presidenti vendas, Goodluck Jonathan miratoi një shumë prej 11 milion dollarësh për t’u përballur me këtë situatë.

Ndonëse nuk janë në të njëjtin numër si në Sierra Leone apo Liberi raste me virusin vdekjeprurës në Nigeri nuk kanë munguar. Autoritetet shëndetësore kanë raportuar të paktën 12 persona të prekur, nga të cilët njëri në gjendje të rëndë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi epideminë në Afrikën Perëndimore një problem global dhe bëri thirrje për më shumë fonde për t’u përballur me të.

Kombet e Bashkuara disa ditë më parë miratuan një fond prej 200 milion dollarë për t’u ardhur në ndihmë sistemeve shëndetësore në Liberi dhe Sierra Leone, dy vendet e prekura më së shumti nga ky virus.

Përpos rajonit afrikan, Ebola është “importuar” edhe nga Spanja dhe Shtetet e Bashkuara. Një ditë më parë në Spanjë mbërriti në gjendje të rëndë shëndetësore prifti katolik që shërbente në Afrikë, ndërsa në SHBA disa ditë më parë u tërhoq një mjek që kishte marrë virusin     gjatë kurimit të pacientëve të tij në Liberi.

Top Channel