Nga Skënder Minxhozi: Disa dhjetëra shqiptarë sfiduan dje vapën, heshtjen e thuajse të gjithë klasës politike dhe të një pjese të mirë të medies, për të kërkuar publikisht largimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Ishte i pari gjest publik në vazhdën e zhurmës që ka bërë skandali i vjedhjes së shtatë miliardë lekëve nga punonjës të Bankës së Shqipërisë.
Pas javësh të mbushura me lajme që lidheshin me arrestime, seanca pyetjesh dhe hetime ndaj zyrtarëve të rangjeve të ulëta në BSH, si dhe me debate të ndezura në media e rrjete sociale për pasurinë personale të guvernatorit Fullani, protestuesit dje kërkuan largimin e tij të menjëhershëm nga detyra. Një kërkesë kjo që po nis të artikulohet edhe nga figura të njohura politike e publike, si ish-presidenti Meidani apo avokati Spartak Ngjela.
Pozita e Ardian Fullanit është parë shpesh në këto vite, si ndër më solidet dhe më të pacenueshmet. I konfirmuar për një mandat të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë, guvernatori ndërtoi për vite me radhë një guaskë koniunkturale aleatësh e miqsh me pushtet, në të gjitha krahët e rrymat politike e mediatike, te të cilët shihte (dhe ende sheh) garancinë, se do ta hedhë pa u lagur edhe përroin e rrëmbyer të shtatë milionë dollarëve të vjedhur nga kasaforta e institucionit të tij. Në vite, mandati i Fullanit u bë një qendër gravitacionale pushteti, duke u kthyer në një oaz të paprekshëm qetësie e mirëqenieje, ku furtunat e peripecitë që kalonte vendi, as që linin shenjën më të vogël. Duket se ky është një iluzion që vetë Fullani vijon ta ushqejë me bindje edhe në këto orë, po të vëresh pasivitetin e moskokëçarjen formale që rrezaton sot Banka e Shqipërisë, ndaj asaj që ndodh jashtë mureve të saj, në rrugë, në faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve.
Por ngjarja e fundit është më hileqare dhe e rrezikshme për guvernatorin sesa mund të duket. Shpura e madhe e të pushtetshmëve, që do të ishin të gatshëm t’i jepnin një dorë atij në rrethana të tjera, tashmë e ka kufizuar mbështetjen e saj vetëm te heshtja, mosdeklarimi publik. Pasi vjedhja e miliardave është një kafshatë që nuk mund të mbrohet, përballë qindra shqiptarëve të acaruar në rrugë dhe rrjete sociale. Sidomos tani, kur duket se trysnia e opinionit publik mbi guvernatorin, po vjen në rritje çdo ditë e më tepër.
Nga ana tjetër, ashtu siç ka ndodhur edhe në të shkuarën, ky skandal është edhe një test jashtëzakonisht delikat për vetë politikën shqiptare. Largimi ose dënimi eventual i një njeriu me pushtet (dhe Ardian Fullani është vërtet i tillë), ka qenë dhe vazhdon të jetë një ushtrim i vështirë koshience për pushtetarët e këtij vendi. Janë dënuar jo pak zyrtarë të rangjeve të ulëta në këto dy dekada të tranzicionit. Natyrisht, njerëz që kishin bërë zullume dhe që kishin faje. Nuk janë dënuar ndërkaq, thuajse kurrë, persona të veshur me pushtet në kokën e institucioneve kryesore të vendit. Çka e ka kthyer drejtësinë në një lojë selektive ashtu siç ka relativizuar përbetimet e politikanëve për luftë kundër korrupsionit. Të gjithë kanë hyrë dhe kanë dalë nga karrierat e tyre pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë.
Prej ditësh, dy palët kryesore në skenën politike, bëjnë garë se cila do ta mbajë gojën më shumë, në lidhje me skandalin e Bankës së Shqipërisë. Është një ndër ato momente kur teoritë e konspiracionit, sipas të cilave shumëçka shohim dhe dëgjojmë është pjesë e një teatri të madh kukullash – duken të vërteta, e jo sajesa klubesh e kafenesh. Kreu i opozitës refuzon të flasë, paraardhësi i tij mbron guvernatorin, kurse Kryeministri aktiv dhe i papërtuar në të gjitha rrjetet sociale, hesht dhe ai! Çfarë po ndodh?! Përse këta persona, që në të tjera rrethana vriten e priten, ndahen e kacafyten për gjithçka, papritur kanë gjetur një moment prehjeje, një kompromis të padeklaruar në distancë, tek afera skandaloze e shtatë miliardë lekëve të vjedhura nga barku i institucionit më të lartë të ruajtjes dhe këqyrjes së parave?! Janë sherrosur për drejtësinë, për reformën territoriale, për Lazaratin dhe drogën, për arsimin, shëndetësinë dhe rendin publik dhe ja papritmas, tani që një krim i rëndë financiar është konsumuar m’u në mes të Tiranës, me shifra plot zero dhe disa të arrestuar që flasin konkretisht – papritur politika shqiptare hesht. E nëse Berisha e të tjerë, e zbërthejnë ngjarjen sipas interesave të tyre, pasi Fullani qe në fakt edhe një investim i tyre, Kryeministri Edi Rama nuk mund të heshtë më. Nuk e ka luksin për të heshtur. Kreu i mazhorancës ka premtuar e vijon të premtojë një kthesë të madhe në drejtimin e vendit, një standard lidershipi dhe qeverisjeje krejt tjetër nga ai që patëm deri dje. Ai konsumon papushim e përditë një sasi të madhe retorike për luftën kundër korrupsionit – për pasojë, ai nuk mund të anashkalojë me heshtje një ngjarje të këtyre përmasave.
Të heshtësh është mjaft shpesh po aq e fajshme, sa edhe të flasësh gabim. Është koha që Kryeministri dhe mazhoranca pas tij, të kenë një pozicion publik për këtë ngjarje, pasi qeveria nuk mund të hiqet mënjanë, në kushtet kur opinioni publik zien për një skandal që ka prekur zemrën e sistemit financiar të vendit. Fuqia e guvernatorit nuk duhet të jenë miqtë politikë që ai ka majtas dhe djathtas, por e vërteta. Është koha që zoti Fullani të përballet me të vërtetën dhe të marrë mbi vete përgjegjësitë që i takojnë. Cilado qofshin ato.
Top Channel