Rama dhe rikthimi i shtetit në identitet

04/08/2014 00:00

Arben Manaj – Personalisht nuk habitem nga kursi diplomatik i Kryeministrit dhe qëndrimi i tij për reformën territoriale, pasi ajo tregon se ai është konsistent në filozofinë e tij. Shumë janë ekzaltuar dhe shumë më pak janë pickuar nga bioshqiptarizmi i Kryeministrit.

Edi Rama ka pasur që në fillesat e tij si politikan dhe administrator publik rikthimet në identitet dhe gjithçka në karrierën e tij ka trajta dhe doza të admirueshme kuratori.

Pa dyshim kur je në karrigen më të lartë të administruesit të punëve të një shteti, do të duhet të lësh mënjanë emocionet nacionaliste dhe të jesh më realist dhe riskmarrës, sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare, shpesh edhe me kosto politike në planin e brendshëm.

Dhe Rama kam përshtypjen e di se çfarë bën. Jo rrallë në qarqet politiko-mediatike shqiptare ka mbizotëruar mendimi shpesh i sponsorizuar nga sipër i një Sali Berishe, që vetëm ai di të bëjë politikë të madhe dhe pa të, në Ballkan e më gjerë, nuk ka paqe, po qe se ai nuk e sheh oportune.

Dhe ky opinion apo naivitet, çuditërisht, hidhej në treg në kohën kur në gjithçka, në qëndrimet diplomatike të Tiranës kishte veçse servilizëm ballkanik dhe koncesione të rrezikshme, deri territoriale.

Rasti famëkeq i detit, madje shitej si një deal që Berisha e kishte bërë për çështjen e statusit. Dhe më e bukura është se, medemek kishte edhe një deal apo marrëveshje të fshehur me Kushtetuesen, që ajo ta rrëzonte atë eventualisht, pas kësaj manovre diplomatike, që më duket se do të kishte po aq sukses dhe përfitim për Shqipërinë sa pati marrëveshja me CEZ-in, e bërë nga po i njëjti Kryeministër me largpamësi të dëmtuar nga etja për pushtet absolut.

Por ajo që mbetet fakt në analet politiko-diplomatike, është se ish opozita dhe shoqëria civile shqiptare e rivendikoi një humbje të tillë territoriale, përmes mekanizmave ligjorë dhe kjo është një meritë dhe arritje edhe e Ramës, sa është edhe indikator i asaj që thashë për të: të qenët konsistent në sjelljen e tij politike dhe diplomatike.

Marrëdhëniet me Greqinë, pa dyshim janë shumë të rëndësishme për një kaleidoskop faktorësh dhe rrethanash të mirënjohura. Por kjo nuk do të thotë apriori që Shqipëria të vazhdojë përjetësisht të marrë frymë nga gurmazi grek dhe t’i nënshtrohet çdo lloj presioni dhe alogjizmi diplomatik të Athinës, që luan në fushë të huaj.

Është tjetër gjë të jesh elastik dhe komplet tjetër të jesh dinjitoz, siç ndodh edhe në marrëdhëniet njerëzore, e jo më në ato shtetërore.

Rama e ka ditur mirë se çfarë pasojash potenciale do të kishte qëndrimi i tij, që unë do ta quaja etatist më shumë sesa nacionalist, pavarësisht edhe ekzaltimit të vërejtur në sytë dhe fytyrat e deputetëve çamë, që shikonin një kryeministër, që edhe pse nuk është, u dukej si çam, për shkak të mungesës së një figure të tillë në historinë politike shqiptare të tranzicionit.

Greqia dihet se ka ndikim, edhe pse të venitur, në qarqet politike ndërkombëtare, e po ashtu, dihet se ka lobuar, dhe unë do të thosha edhe për interesat e veta, për të pasur Shqipërinë një vend me statusin e kandidatit, ashtu siç dihet që edhe nuk e frekuentonte dot, kur atë e donte ndër të tjerë, Angela Merkel, përpara së cilës grekët kanë prioritete të tjera.

Por Rama ka kuptuar, përveç karakterit të tij, qoftë edhe prej megalomani, por edhe kokëmushke, se nëse nuk respekton vetveten, nuk duhet pritur të të respektojë dikush tjetër.

Rama si Kryeministër, edhe përkundër keqperceptimit, është treguar shumë i ndershëm me grekët dhe minoritetin grek në Shqipëri, qoftë edhe me reformën territoriale apo edhe ndarjen e tortës së pushtetit me një deputet minoritar nënkryetar Parlamenti, kur mund të kishte bërë koalicion me çamet p.sh.

Por dhe ashtu siç pritej, është treguar edhe shqiptar në fund të fundit, e për këtë nuk ka përse të duket e të bëhet altruist me interesat kombëtare dhe shtetërore.

Grekët kanë marrë në Shqipëri sa herë kanë dashur dhe çfarë kanë dashur, qoftë edhe për shkak të mungesës së dinjitetit, kompleksitetit politik, por edhe korruptimit të politikanëve shqiptarë nga Athina, përmes shumë metodave të njohura.

Neoetatizmi nuk ka për ta djegur Shqipërinë, e as duhet ta ngrohë. Greqia ka mjete presioni politik dhe diplomatik në kuadër të BE-së, por nuk vendos ajo.

Edhe pse Shqipëria do të hyjë në fazën e rëndësishme të negociimit, sërish çështja e të drejtave të minoriteteve do të jetë pika më pak problematike që do të ketë Tirana, edhe pse ajo mund të jetë një lloj modeli deri diku.

Por të mos harrojmë se negociimi është një periudhë shumë-shumë e gjatë kohore dhe në politikë edhe një javë është kohë e gjatë. E deri në ditën e mbramë të aderimit të plotë të Shqipërisë në BE, gjërat mund të jenë shumë ndryshe, e kjo çështje nuk do të mund të shkaktojë dot dallgë në Bruksel.

Shqipëria vërtet nuk është mirë ekonomikisht, por në këtë fushë nuk ka përse të mburret as greku. Shqipërinë, edhe pse duhet ta mbështesë bota financiare dhe do ta mbështesë, me apo pa Ramën Kryeministër, e kanë bërë dhe po e bën fryma dhe shpirti prej sipërmarrësi e shqiptarit për t’u pasuruar, shpesh edhe pse në forma të pandershme.

Edhe pse anëtarësimi në BE është një koncept shumë më i avancuar dhe i gjerë, për shqiptarin e thjeshtë, qarkullimi i lirë dhe pa viza mbetet një parakusht i tejkaluar dhe plotësues. Dhe kjo është e vërtetë edhe pse tingëllon sempliste.

Ajo që vret në mënyrë atipike veshin e shqiptarit është një lloj kryeneçësie shqiptare apo deklarime qoftë edhe të thëna troç për punët e Europës nga goja e Kryeministrit, që të jeni të sigurt nuk është se shkaktojnë habi sesa do të thosha admirim të fshehtë dhe dakordësi në veshët e bashkëbiseduesve të tij.

Në fund të fundit, kjo është një retorikë dhe ligjërim normal në qarqet politike dhe diplomatike të Europës, por duke qenë se nga goja e politikanëve shqiptarëve dalin vetëm nëntekste aprovuese dhe nënshtrimi për gjithçka apo demonstrohen komplekse të vegjlish dhe të pakamurish, kjo tingëllon si emocion dhe herezi nacionaliste.

Gruevskin dhe Maqedoninë e tij, edhe pse nuk duhen marrë shembull assesi, nuk mund të mos i admirosh, qoftë edhe privatisht, edhe në marrëzinë e tyre dhe qëndrimin që mbajnë ndaj Greqisë, edhe pse personalisht mendoj se Greqia ka shumë të drejtë në atë që thotë se është e saj dhe historikisht për mua, Maqedonia si territor gjeografikisht dhe historikisht në lashtësi, është greke.

Edhe ata janë me status kandidati si ne prej një dekade, e ndryshe nga ne, nuk janë as në NATO, duke e sakrifikuar atë për hir të asaj që besojnë ose nuk e besojnë në thellësinë e shpirtit të tyre, por që u duhet të mos e lëshojnë.

E sa për Ramën dhe Shqipërinë, që kohët e fundit ka një rikthim në identitetin e saj shtetëror, kjo mbetet një e dhënë e kohës dhe jo e përhershme, deri në konfirmim të saj, kur Shqipëria do të duhet të rinegociojë marrëveshjen e detit me grekët apo edhe kur të kërkojë me dinjitet dhe vendosmëri argumentuese, edhe pse me vështirësi legale, zhbërjen apo amendimin e ndonjë koncesioni, si ai për Aeroportin e Rinasit me gjermanët e Merkelit, që na e la në derë Fatos Nano.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA