Ta integrojmë apo getoizojmë Shqipërinë

26/07/2014 00:00

Andrea Stefani – Ditët e fundit, Vangjel Dule, kreu i PBDNJ, ka shprehur kundërshtime të forta lidhur me reformën administrative.

Një mosaprovim deri në zemërim që e ka shkaktuar, sikundër edhe pohon, përfshirja në një njësi administrative të Himarës me Vranishtin. Kjo, sipas Dules, është një zgjidhje kundër interesave të minoritetit grek në Himarë, madje nuk i shërben as edhe Himarës. Nuk jep asnjë argument ndërsa shton se reforma po dhunon konventat ndërkombëtare që garantojnë të drejtat e minoriteteve. Po cilën konventë dhe si, nuk e thotë. Dhe, më në fund, thuajse kërcënon se nuk do ta votojë këtë ndarje administrative-territoriale, madje se edhe do të largohet nga koalicioni qeverisës. Por a ka të drejtë në të gjitha këto që thotë?

***

Reforma e sotme administrative synon të rrisë funksionalitetin dhe efektivitetin e qeverisjes lokale në dobi të të gjithë shtetasve të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht përkatësisë etnike. Dhe duket se ka rezultuar që ky funksionalitet nuk mund të maksimalizohet në të gjitha aspektet (ekonomike, burokratike, apo infrastrukturore) nëse u qëndrohet besnik kufijve krahinorë tradicionalë apo edhe fqinjësive historike. Në fakt, është sa primitive aq edhe naive të mendosh se një shtet modern në kryerjen e ndarjes administrative, duhet të vendosë si kriter krahinizmin, lokalizmin apo etnicitetin e banorëve në zona të ndryshme. Kjo do të thotë të kryesh një reformë administrative “fshatçe”. Dhe në fakt, ankesat e komuniteteve të banorëve në disa zona të vendit për ndarjen territoriale që po ndërmerret, janë një provë se fryma e fshatit apo e krahinës prevalon ende mbi frymën e shtetit. Veç një frymë e tillë mund t’i falet fshatarëve, por jo një politikani apo deputeti si Dule që, duke u ankuar për bashkimin e Himarës me Vranishtin, sjell si argument faktin se mes këtyre dy krahinave nuk ka ngjashmëri kulturore apo fetare, etnike apo gjuhësore siç për shembull, sipas tij, ka mes Himarës dhe Lukovës. Është një pozicionim politik që jo vetëm neglizhon natyrën laike të shtetit, por njëherazi edhe aq shumë arkaik, sa të kujton këshillën që, në “Iliadën” e Homerit, Nestori i jepte Agamemnonit për t’i rreshtuar ushtarët sipas fiseve apo vëllazërive, në mënyrë që vëllazëria t’i ndihmonte gjatë luftimit të vëllazërisë dhe fisi-fisit. Mendojmë se detyra më elementare e një shteti modern, është që ta kapërcejë lidhjen apo solidaritetin fisnor apo krahinor me një tjetër lidhje më universale, me solidaritetin qytetar që është më gjithëpërfshirës si vetë shteti. Dhe kjo quhet integrim.

***

Po ku, në cilat konventa ndërkombëtare, qenka shkruar se ndarja administrative në një shtet duhet të respektojë kufijtë e diversiteteve nënkulturore, të dallimeve fetare apo etnike e gjuhësore. Nëse shteti do të ndiqte kritere të tilla, ai nuk do të integronte shtetasit, por do të nxiste dezintegrimin, ndarjen dhe jo bashkimin. Në një shtet modern dhe të hapur, ajo që i bashkon njerëzit nuk është thjesht etnia, gjuha apo tradita kulturore. Këto janë lidhje natyrore, thuajse të vetvetishme ndërsa shteti modern, është artificial, i ndërtuar mbi një interes të përbashkët që njerëzit e zbulojnë. Dhe ky interes gjithëpërfshirës që realizohet edhe me anë të ndarjeve administrative që arsyetohen e kalkulohen duke u nisur pikërisht nga më e mira për të gjithë dhe jo nga pasione, simpati e antipati lokale apo etnike të cilat, nuk ndihmojnë integrimin e shtetasve në shtet pavarësisht etnisë, gjuhës, krahinës apo traditave. Në të kundërt theksimi i dallimeve të tilla nxisin dasi, deri edhe aversion etnik, ngrenë mure mes komuniteteve apo krahinave. Shtetet moderne, si p.sh., Britania, kanë problem pikërisht shmangien e krijimit të zonave të populluara vetëm me komunitete emigrantësh me ngjyrë gjithnjë e më pak të përzier me vendas të bardhë, ndërsa në Shqipëri, disa ankohen pse himarjotët do kenë të njëjtën qeveri lokale me vranishtjotët, edhe pse prej shekujsh kanë jetuar thuajse sup më sup! Tingëllon paksa si marrëzi.

***

Që reforma duhet t’i shërbejë integrimit – thotë edhe Dule. Por nëse veprohet siç ai këshillon, ndarja administrative nuk i shërben integrimit të të gjithëve në mënyrë të barabartë në shtet por një tjetër “integrimi” që nxitet nga orekse shovene. Dhe kjo është në kundërshtim me tendencën historike që priret të integrojë në Europën e Bashkuar kombe të tëra. Dhe ashtu si integrimi në BE nuk përbën rrezik për identitetet kombëtare, edhe një ndarje administrative si kjo që po zhvillohet në Shqipëri nuk i kërcënon aspak liritë, të drejtat e minoriteteve apo edhe traditat apo fqinjësitë e miqësitë krahinore. Kemi të bëjmë me një integrim më funksional administrativ ndërkohë që gjithçka tjetër në marrëdhëniet mes fshatrave, krahinave apo komuniteteve, mbetet e pakërcënuar dhe e paprekur nga kjo reformë. Zoti Dule dhe të tjerë që po japin alarmin mbi gjoja dhunimin e të drejtave të minoriteteve, nuk do të mund të gjejnë dot as edhe një paragraf në dokumentet ndërkombëtare që të përligjë alarmet e tyre. Madje, qeveria ka bërë një lëshim, besojmë të tepërt, duke lejuar në dy raste që kufijtë e disa fshatrave minoritare greke të përputhen edhe me ata të rinj administrativë. Sepse një administratë lokale e përbashkët për komunitete minoritare dhe jominoritare, ky integrim administrativ që s’njeh dallime gjuhësore, krahinore, etnike apo kulturore por i sheh të gjithë si shtetas të barabartë, e bën të vështirë çdo diskriminim negativ të minoriteteve. Ndërsa krijimi i zonave të pastra minoritare edhe për sa i takon qeverisjes, të fanepsin më shumë getot famëkeqe sesa njësitë administrative të një shteti modern që nuk mund të jetë modern, pa kapërcyer gardhet e fiseve, krahinave apo minoriteteve. Do ta integrojmë apo do ta getoizojmë Shqipërinë?
 
Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA