Si po rriten kreditet politike të LSI-së në qeverisjen “Rama”

25/07/2014 00:00

Nga Zamira Çavo: Në gjenin tonë psiko-social kemi të trashëguar mungesën e të qenët bashkë! Shqiptarët gjithnjë “vuajnë” nga mosbashkimi, nga ndasitë dhe nuk gjejnë dot rrugën e konsensusit! Kjo ka arsyet e veta historike që nuk është vendi për t’i shpjeguar. Por faktet që na përplasen në fytyrë çdo ditë, tregojnë se sa vështirësi kemi të rrimë bashkë. Ndaj edhe Aleancat politike te ne, asnjëherë nuk e kanë mbërritur qëllimin e tyre të përbashkët! Çdo lloj aleance që niset me shumë “dëshirë”, sigurisht nga nevoja e numrave, shpejt fillon e nxjerr “gjembat e parë”, që gradualisht, shndërrohen në telin ndarës (me gjemba), mes forcave aleate.

Historia e këtyre 24 viteve e ka treguar disa herë këtë. Aleancat te ne rrinë mirë vetëm për “probleme” të caktuara dhe shumë specifike, ku interesat e atyre që e kërkojnë aleancën, janë jetike. Më tej aleatët ndjekin “domosdoshmërisht” interesat përkatëse politike, që garantojnë fitoren e “më të fortit”. Dhe ky “më i fortë” është zakonisht ai që di të luajë politikën makiaveliste, në terrenin shqiptar. Me fjalë të tjera, ai që di të luajë politikën e “përfitimit të krediteve politike” dhe të “votave elektorale”! Gjithnjë e kam thënë se LSI është parti që drejtohet me këtë filozofi politike. Ndaj aleancat me të, janë të paparashikuara. Por e vërteta është se nga këto aleanca, kjo parti ka ditur më se miri të fitojë. Në aleancën me Berishën, LSI, jo vetëm rifitoi mundësitë financiare të ekzistencës së vet, por “zgjidhi” dhe shumë probleme të tjera, me pasoja jetike për këtë parti. E megjithatë nuk e pati fare të vështirë t’i largohej kësaj aleance, fitimprurëse në maksimum, kur e ndjeu se “varka e saj po fuste ujë”. Dhe ky është një qëndrim politik i admirueshëm! Realisht vetëm një mendje politike e tillë, e ftohtë dhe pa konture morali, arrin të fitojë në betejën jo fort të pastër të politikës.

Aleanca e Fitores së 23 qershorit të një viti më parë, po dëshmon se gradualisht, palët kanë filluar të ndjekin interesat e tyre. Ajo që dukshëm perceptohet, por edhe analizohet është se LSI sërish është disa hapa para, në përfitimin e krediteve politike dhe votave elektorale. Në mungesë të një opozite të shëndetshme, (ku LSI ka pasur rolin e vet në shkatërrimin tërësor të imazhit të mazhorancës së djeshme), sot LSI bën opozitën brenda pozitës. Në rrafshin politik ky është një hap i pëlqyeshëm dhe i pranueshëm. Me një veprim të tillë, LSI fiton kreditet e saj politike, pasi zakonisht ndërhyn në ato probleme, apo ligje, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në elektorat, ose në interesat e saj të ngushta! Kjo është filozofia politike e LSI-së, e cila në perceptimin popullor, është “punë mbaruar”. Të fut në punë, të zgjidh problemet, ashtu si di ajo t’i zgjidhë dhe më së fundi kërkon, kritikon, voton kundër sikur të mos ketë asnjë përgjegjësi qeverisëse! Ky komoditet në aleancë i është shtuar edhe më shumë në këta muajt e fundit. Kryeministri ia ka mundësuar terrenin politik LSI për t’u shfaqur si përfituesja e madhe e kësaj aleance. Po ndalem vetëm në disa shembuj që ndoshta janë një perceptim popullor, por qofshin edhe si të tilla, këto perceptime shtojnë “kreditet politike”.

Ministri ynë i Jashtëm, gati duket inekzistent, përpara rolit të “madh”, që Kryeministri i ka dhënë ministres së Integrimit. Falënderimet, vend e pavend, mbajtja në krah dhe mbi të gjitha referimi disa herë publikisht në vend të referimit të ministrit të Jashtëm, ka bërë që ministrja e LSI-së të shfaqet në publik si “triumfatore” e çdo gjëje që ka pas fjalën, “europiane”! Ministri ynë i Jashtëm, edhe pse me një përgatitje dinjitoze dhe aftësi profesionale të shkëlqyera, në rrafshin krahasues, sërish qëndron në hije. Po të njëjtën gjë do të thosha për ministrin e Bujqësisë. Sigurisht që bujqësia është përparësia jonë qeverisëse, por nuk besoj se ministri i Bujqësisë ka nevojë për shoqërim nga Kryeministri, “derë më derë” të fermerëve, për të shpalosur disa politika që do të duhet kohë t’ua shohim rezultatin. Por gjithsesi, kredibiliteti politik i LSI-së sërish është i lartë. Bujqësinë, po e “ndryshon” kjo forcë!!!! Është një propagandë që ngjit mbi çdo tregues real! Po kështu mund të them edhe për mjedisin etj. Po kështu, Ministria e Drejtësisë. Duket sikur gjithçka kërkon të bëjë ministri, Kryeministri është i gatshëm ta përkrahë dhe nëse problematika nuk çon “ujë” në mullirin e “rec publikes”. Duket sikur Kryeministri ndien një “detyrim” që t’ia lehtësojë imazhin publik LSI-së. Madje, i ka lëshuar një terren të gjerë aktiviteti edhe brenda ministrive, që drejtohen nga ministra socialistë. Edhe pse nuk ka qenë në intensionin e tij, ndarja në parcela, duket se funksionon më së miri për LSI-në. Në administratën publike, sapo kërkon të marrësh ndonjë përgjigje ose të kryesh ndonjë punë, menjëherë të del përpara përgjigjja: Aha e kanë ata të LSI-së këtë… nuk dimë ç’të themi… Ministrat e Partisë Socialiste janë të përmbledhur gati deri në vetëflijim, ndaj detyrave që kanë marrë përsipër. Por duket sikur punojnë ngadalë… me ndonjë përjashtim që e ka bërë ekranin pjesë të punës së tij. Realisht ministrat e Partisë Socialiste në shumicën e tyre, janë fytyra e re e kësaj qeverisje, fytyra e të pakorruptuarit dhe luftëtarit për të përgjegjshmen, por sërish kanë mbetur në hije.

Në të gjithë këtë perceptim popullor nuk duhet harruar se, filozofia politike e LSI-së është shumë larg interesave të elektoratit të majtë dhe akoma më larg, interesave të quajtura “publike”.

Pakënaqësitë e grumbulluara brenda Partisë Socialiste e që lidhen me mospjesëmarrjen e saj në shumë nivele vendimmarrje, mospërfshirja e saj reale në qeverisjen e vendit, do të shtojë dozat e opozitarizmit brenda kësaj qeverisje. Zërat opozitarë brenda së majtës mund të bashkohen nesër fare mirë, për t’ia forcuar “pozitën” politike LSI-së. Gjithsesi, mendoj se qeverisja e sotme në 300 e disa ditë, ka nevojë për një shinë mbi të cilën duhet të ecë, pavarësisht interesave numerikë. Në fund të fundit u votua Ndryshimi, që Rilindja do të sillte. Por ndoshta kjo Rilindje përmbledh në vetvete dhe një rilindje të së majtës. Na mbetet të presim e të shikojmë.

Gazeta Shqip

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA