Fatos Baxhaku – Është vërtet e çuditshme se si shumë shpesh, përrallat ngjasojnë aq shumë me realitetin.
Ose, mbase do të jetë më mirë të themi se sa shumë realiteti u afrohet përrallave, madje edhe atyre më të ngatërruarave. Kështu na ndodhi këto ditë teksa rrekeshim të orientoheshim në betejën tashmë të hapur mes Nishanit dhe Ramës për punë të Drejtësisë.
Në një libër të mrekullueshëm të botuar këtu e do vjet më parë, Virgjil Muçi na rrëfen edhe historinë e dy trimoshëve “nga qyteti i hijshëm i Prezës”, miq për kokë e djem të çartur, të cilët për disa ditë u vunë në hall kur zbuluan fare rastësisht se kishin të dashur të njëjtën femër. Atëherë u vunë në garë se kush prej tyre ishte më i forti në bëma. Humbësi do të hiqte dorë nga dashuria. Provuan, ç’nuk provuan nga gjërat më të padëgjuara. Për shembull njëri prej tyre lidhi harapin e pashait në majë të çatisë, tjetri poqi një patë në dhomën e gjumit të pashait, tjetri futi kadiun në kosh. Si përfundim fitoi ai që përdori më shumë hile e më pak forcë. Po njësoj të dyja krahët e përfshira në debat përbetohen e zënë be mbas beje se kanë të njëjtën të dashur: Drejtësinë e paarritshme. Të dyja palët kanë ndërmarrë bëmat e tyre. Njëra palë ka bërë gati me shpejtësi të paimagjinueshme projektligjin e ri mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë, pala tjetër ka bërë gati një platformë të plotë mbi reformimin e Drejtësisë. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për lojë të pandershme. Nëse e marrim të mirëqenë, për hir të respektit institucional, se Presidenti Nishani është mbi palët, atëherë “përrallës” sonë i shtohet edhe një “trimosh tjetër” e kështu bëhen tre palë që rreken të mbërrijnë tek e bukura, hirplota, e paarritshmja Drejtësi.
Jashtë shakave dhe përrallave, problemi është vërtet i komplikuar, mbase më i ngatërruari që kalon sot krejt shoqëria shqiptare. Në radhë të parë është i ngatërruar sepse pikërisht politika që e ka çuar sistemin deri në këtë pikë, pra pikërisht fajtorja numër një, pikërisht ajo tani kërkon të ndreqë me ligje apo platforma dhe shpejt e shpejt një gabim të rëndë që daton që prej më shumë se 20 vjetësh. Të gjithë e dimë, se gabimet e rënda në drejtësi kanë ardhur nga politizimi i tejskajshëm i gjyqtarëve. Jo vetëm kaq, por njësoj si në kohë të Nuhit, në emërimet e gjyqtarëve në shumë raste është vendosur në bazë të lidhjeve të vjetra fisnore, krahinore, lagjore. Në fillimet e demokracisë sonë, nëse ka qenë ndonjëherë demokraci, Drejtësia u përdor ose për të bërë shou politik bajat, ose për të rrënuar kundërshtarët politikë. Se cilët kanë qenë këta persona që e shndërruan drejtësinë në një levë të fortë të pushtetit dhe se sa mirë u ka ecur më pas në jetë, mjafton të shikoni listën e njerëzve që dënuan “bllokmenët”, Fatos Nanon dhe të tjerët. Personi që del përherë në krah të Lulzim Bashës, kreut të opozitës është Sali Berisha, njeriu që i dha udhë këtij sistemi të deformuar. Atëherë si ka mundësi që opozita në këtë pikë të jetë bindëse, të paktën për apolitikët?
Gjyqtarët me të drejtë ankohen shpesh: mos na fusni të gjithëve në një thes. Mes nesh ka edhe njerëz të ndershëm, të aftë, me dinjitet, që vënë kokën në rrezik për të bërë detyrën e tyre. Kjo është e vërtetë, absolutisht e vërtetë, porse po aq i vërtetë është edhe fakti se nëse qëndron pranë një të infektuari ka shumë mundësi që të shfaqësh shumë shpejt simptomat e epidemisë. Është njësoj si me mjekët apo mësuesit. Jo të gjithë marrin ryshfet. Jo të gjithë sigurisht janë hajdutë, por ama perceptimi i përgjithshëm popullor, krijohet mbi atë që është më e përhapur dhe jo mbi atë që është më e strukur. Personalisht nuk do të rrija kurrë afër një gazetari që gënjen, shpif apo e përdor punën për të bërë shantazh në këmbim të përfitimeve materiale. Jo vetëm nuk do t’i rrija afër, por nuk do të lija gur pa luajtur që këtij individi të mos i zinin këmbët dhe në asnjë media.
Nga mesi i viteve ‘80 e më pas në Tiranë lejohej të shiheshin lajmet e RAI-t. Një gjysmë ore ishte kontakti me botën dhe pastaj vetëm miza mbi ekranin e vogël. Pikërisht prandaj në kujtesën e shumë vetëve sot ka mbetur i fiksuar imazhi i Antonio Di Pietros, prokurorit të Milanos, i cili nisi hetimin e famshëm të njohur si “duart e pastra”. Hetimet që ai nisi sollën një furtunë të vërtetë në Itali. Politikanë, bankierë, mafiozë, dallkaukë lloj-lloj të pleksur në një sistem korruptiv të konsoliduar që prej dekadash me radhë dhe të betonuar nga një mijë lidhje parash, klanore, farefisnore, krushqish, u shkërmoqën para syve të italianëve të thjeshtë, të kënaqur më në fund me Drejtësinë e tyre. Ne sot mund të bëjmë ligje e të hartojmë platforma pa fund, mund të presim mendime ekspertësh nga çdo anë, por harrojmë se reformat e thella, ato që mbahen mend dhe që e çojnë vendin para nuk bëhen vetëm me ligje. Ato janë vetëm njëra anë e tyre. Reformat mbarëkombëtare kanë në bazën e tyre bindjen e përbashkët për të ndryshuar, për të qenë të dëlirë, për të ecur me kohën. Dhe reforma e vërtetë duhet të nisë në gjirin e vetë njerëzve të Drejtësisë, me apo pa Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pas një ose më shumë “Di Pietro” shqiptar, cilido që të jetë në krye të punëve do ta ketë të vështirë që të arrijë të bukurën hirplotë, gati të paarritshmen me emrin Drejtësi. Kjo deri më tani nuk ka ndodhur dhe pikërisht, kjo, dhe jo diskutimet e tejzgjatura teknike mbi ligjet, përbën telashin më të madh të sotëm.
Njerëzit e Drejtësisë, ata të parët, duhet të jenë të bindur se ndryshimet që do të pasojnë do të vënë në vend në radhë të parë natyrën gati hyjnore të profesionit të tyre. Shqiptarët u kanë besuar të drejtën dhe të gabuarën në tokë, njësoj sikurse u kanë besuar klerikëve drejtësinë e jetës përtej. Një barrë e madhe vërtet, por që mbahet duke besuar në disa ideale.
Nga kjo “gara e trimoshëve” në kërkim të “bukuroshes” është krijuar ideja sikur e gjithë çështja është një ligj që Edi Rama po kërkon me ngut që ta realizojë, ndërsa pala tjetër, për oportunitet politik nuk është dakord. Në fakt, çështja nuk duhet të lidhet me asnjë emër. Njerëzit janë kalimtarë, madje aq kalimtarë saqë nuk na e pret dot as mendja. Presidentë, kryeministra, deputetë, kryetarë partish do të shkojnë e do të vijnë, e Drejta është një dhe vetëm një dhe tani ka ardhur bash koha që shqiptarët më në fund ta takojnë atë, të bukurën që nuk e arritën kurrë.
Top Channel