Pas Sirisë duket se shteti i Irakut është destinacioni i radhës i shqiptarëve të Kosovës, të cilët synojnë të bëhen pjesë e luftës për krijimin e shtetit islamik.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se aktualisht numri i shtetasve të Kosovës të cilët janë duke luftuar në Siri dhe Irak është 43. Një shifër kjo më e vogël se vitin e kaluar, kur përkrah rebelëve sirianë, sipas statistikave zyrtare, luftonin 140 kosovarë.
Ndërkohë, një natë më parë opinioni është njoftuar për vrasjen e një 26-vjeçari nga Malisheva, pikërisht në Siri, duke e çuar kështu në 12 numrin e të vrarëve.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi tha se procedimi i ligjit që parandalon pjesëmarrjen në luftërat e huaja ka ndikuar në rënien e interesimit të të rinjve për të shkuar në Siri. Kjo dëshmohet sipas tij edhe në raportimet për Kosovën, të cilat sipas monitorimit javor kanë rënë dukshëm.
“Një ndër aktet e fundit të Kuvendit të Kosovës, para shpërbërjes, ka qenë edhe aprovimi i ligjit, i cili ndalon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e huaja. Dhe tashmë kjo cilësohet si një vepër penale. Ky vendim i Kuvendit ka sjell deri tani rënie të pjesëmarrjes së kosovarëve në këto luftëra”, u shpreh Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme.
Por në tjetër botë duket se jetojnë luftëtarët atje. Top Channel ka mësuar se tashmë grupi i shqiptarëve për shkak të pakënaqësive ka ndërruar liderin, në vend të Lavdërim Muhaxherit në krye të grupit të shqiptarëve është vënë Ridvan Haqifi, me nofken ‘Ebu Mukatili’, një 24 vjeçar nga komuna e Gjilanit.
Por për shkak të vakumit institucional ligji që ndalon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja ende nuk është miratuar. Për insitiucione të tjera të sigurisë kjo është një mangësi pasi pritej rikthim më i madh nga Siria për shkak të amnistisë prej 45 ditësh që ofron ligji.
“Ne shpresojmë që me publikimin real të pamjeve brutale të luftës, të bjeri edhe dëshira e atyre që e kanë në mëdyshje. Kjo nuk është luftë e jona. Kosova nuk mund të marrë pjesë. Askush nuk do të ketë përfitime”, shtoi Selimi.
Statistikat zyrtare, të cilat ka mundur t’i sigurojë Top Channel, tregojnë se numri i të arrestuarve është gjashtë. Katër prej tyre mbahen në Kosovë nën masën e paraburgimit. Një ndodhet në Turqi dhe një tjetër në Maqedoni. 13 është numri i kosovarëve, për fatin e të cilëve shteti nuk ka informacione.
Bashkësia Islame e Kosovës disa herë u ka bërë apel kosovarëve që të mos shkojnë në luftën e Sirisë, me argumentin se është luftë e huaja dhe për më tepër nuk bëhet në mbrojtje të fesë islame.
Kjo përsëritet edhe sot nga zyrtarët e këtij institucioni kur kontaktohen për këtë çështje, të cilët megjithatë shtojnë se nevojitet një koordinim më i madh i institucioneve për të debatuar në mënyrë që të rritet vetëdijesimi.
Top Channel