Perëndimi, presion Rusisë

20/07/2014 00:00

Presionet e Perëndimit po shtohen mbi Rusinë që të bindë rebelët në Ukrainë të lejojnë qasjen e pakushtëzuar të ekspertëve në zonën e rrëzimit të avionit ëe Malaysia Airlines.

Kryeministri holandez Mark Rutte ia bëri të qartë shefit të Kremlinit se kohës për të treguar se mund të ndihmojë po i vjen fundi. Pjesa më e madhe e viktimave të fatkeqësisë ishin nga Holanda. Nevojën për qasje të fortë në vendin e rrëzimit të boingut 777 e theksuan edhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania, madje kryeministri David Cameron foli për domosdoshmërinë e sanksioneve të reja nëse Moska nuk ndryshon qëndrim në lidhje me avionin e rrëzuar.

BE-ja duhet të mbrojë parimet e saj në këndvështrimin e shefit të ekzekutivit britanik dhe në dritën e zhvillimeve të fundit që dëshmojnë përfshirjen e rebelëve pro-rusë në episodin tronditës. Bashkë me holomogun australian Tony Abbot, Cameron ka rënë dakord që si Britania, ashtu edhe Australia të ushtrojnë presion në Këshillin e Sigurimit për qasje të ekspertëve në zonën e bllokuar prej separatistëve.

Philip Hammond, sekretar i Jashtëm i Britanisë, u shpreh: “E gjithë kjo nuk ka të bëjë thjesht me Rusinë e me Perëndimin. Ka të bëjë me komunitetin ndërkombëtar që kërkon qasje në zonë, që pretendon marrjen e trupave dhe garantimin e provave. Rusia duhet të luajë një rol kyç me influencimin e separatistëve. Sytë e të gjithë botës do të jenë tek Moska për të parë nëse do t’i përmbushë detyrimet e saj.”
 
Shërbesa përkujtimore po mbahen në Australi e janë planifikuar edhe në vende të tjera. Peshkopi Peter Comensoli, i cili drejtoi meshën në katedralen e Shën Mërisë në Sidnei, u shpreh se rrëzimi i MH17-s nuk ishte një aksident i pafajshëm, por vepër e ligësisë njerëzore. Vetë kryeministri Abbot, i pranishëm në shërbesë, i tha një rrjeti televiziv se kur sheh fytyrat e të vdekurve njeh një fqinj, një mik, fëmijë që mund të ishin të tutë sepse le ta pranojmë, shtoi ai, jemi njerëz që e kemi shumë për zemër të udhëtojmë.

Lista e plotë e pasagjerëve e publikuar nga Malaysia Airlines tregon se në bord ndodheshin 193 shtetas holandezë, 43 malajzianë, 27 australianë, 12 indonezianë, 10 britanikë, 4 gjermanë, 4 belgë, 3 filipinas, një kanadez e një neozelandez.

Si Ukraina, ashtu edhe rebelët pro-rusë akuzojnë njëri-tjetrin për goditjen e boingut me 298 persona në bord, i cili fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur. Fluturimi MH17-s është qëlluar sipas gjasave nga një raketë në kohën kur ndodhej mbi rajonin e Donjeckut, të kontrolluar nga rebelët pro-rusë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB