Kerry i telefonon Lavrov-it

20/07/2014 00:00

Shefi i diplomacisë amerikane, John Kerry, përcolli shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara mbi njoftimet, se mbetjet e avionit malajzian dhe trupat e pajetë janë lëvizur, nga vendi ku ra Boeing-u i nisur nga Amsterdami për në Kuala Lumpur.

Departmenti i Shtetit njoftoi se Kerry bisedoi të shtunën në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Kryediplomati amerikan i ka thënë homologut Lavrov se është gjithashtu i shqetësuar, nga fakti që vëzhguesve europianë nuk po u lejohet hyrja, në vendin ku u rrëzua avioni.

Rusisë, ndër të tjera, Kerry i ka bërë thirrje të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar futjen e armatimeve dhe të luftëtarëve, në ndihmë të separatistëve pro-rusë në Lindje të Ukrainës.

Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” citoi ministrin e Jashtëm rus, të pajtohej me idenë se të gjitha faktet fizike, përfshirë kutinë e zezë me regjistrimet, një objekt me rëndësi jetike, do t’u jepen hetuesve.

Sipas raporteve nga vendngjarja, rebelët kanë tërhequr disa trupa dhe objekte të tjera, që ndoshta kompromentojnë zhvillimin e hetimeve. Një udhëheqës i separatistëve mohoi, megjithatë, të jetë bërë një ndërhyrje e tillë.

Shtetet e Bashkuara kanë bindjen se raketa, që goditi avionin, është hedhur nga territori i kontrolluar nga separatistët pro-rusë, ndërsa Ukraina këmbëngul se zotëron “fakte bindëse”, që rebelët kanë përdorur një raketahedhëse të teknologjisë së lartë dhe se janë trajnuar nga rusët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB