Gaza, mbi 80 të vrarë gjatë së dielës

20/07/2014 00:00

Të paktën 87 persona kanë mbetur të vrarë vetëm gjatë ditës së sotme në Gaza, duke e bërë të dielën ditën më të përgjakshme që prej fillimit të ofensivës izraelite 13 ditë më parë.

Presidenti palestinez Mahmud Abas e cilësoi ‘një masakër’ atë që ndodhi gjatë fundjavës në rajonin Shejaiya, ku humbën jetën 67 persona. Ushtria izraelite konfirmoi se 13 ushtarë janë vrarë gjatë natës.

Palët ranë dakord për një armëpushim humanitar në këtë zonë, por ai u respektua vetëm për rreth 60 minuta dhe sulmet nisën sërish. Të dyja palët fajësojnë njëra tjetrën për shkeljen e armëpushimit.

Autoritetet palestineze konfirmojnë se numri i viktimave që prej fillimit të konfliktit ka shkuar në 425 persona, ndërsa më shumë se 3 mijë të tjera kanë mbetur të plagosur. Ndërsa OKB-ja ka thënë së pjesa më e madhe e viktimave të së dielës janë civilë.

Situata e krijuar në rajonin e Shejaiya është e tmerrshme, raportojnë mediat ndërkombëtare, kjo zonë është vetëm 1.2 kilometra nga kufiri me Izraelin. Grupet e shpëtimit e kanë pasur të pamundur t’i vinë në ndihmë personave të lënduar, ndërsa shërbimet mjekësore shprehen se spitalet tashmë janë të mbipopulluara.  

Top Channel