Donjeck, në vendin e tragjedisë

20/07/2014 00:00

Banorë, që enden e rrëmojnë mes mbetjeve të MH17-s, turistë të pavullnetshëm që bëjnë foto, trupa që lihen të hedhur aty nga dora e fatit: fusha e Donjeckut, ku ra fluturimi MH17, sot është një varrezë e madhe, e hapur dhe e përdhosur.

Disa nga pasagjerët janë ende të lidhur me karriget e tyre. Në qetësinë e trishtë të këtij vendi, pranë një ish-pularie të periudhës sovjektike, lidhëset e karrigeve që i lëkund era janë kujtesa makabre e një tragjedie, e cila nuk po merr fund.

Për tri ditë me radhë, trupat e viktimave të fatkeqësisë janë lënë të dergjen në të nxehtin e këtyre ditëve të verës, ndërsa rebelët pro-rusë, pa asnjë justifikim të pranueshëm, vazhdojnë me kokëfortësi t’iu ndalojnë hyrjen skuadrave të ekspertëve, që duhet të hedhin dritë mbi misterin e këtij rrëzimi.

Tmerri i përjetuar nga 298 personat në bordin e avionit, që binte si plumb drejt tokës, mund të merret me mend. Urojmë të mos kenë qenë aq fatkeqë, sa të ishin ende gjallë pas goditjes së Boeing-ut, në dukje nga një armë e fuqishme ushtarake, thonë korrespondentët e huaj në rajon.

Këtë vrasje masive, siç e quajnë ata, e rrethojnë disa shtresa turpesh, por fyerja e fundit që i bëhet kujt ndodhej në fluturimin MH17 është mohimi i dinjitetit edhe në vdekje.

Personat, që janë me të gjitha gjasat shkaktarët e kësaj masakre të tmerrshme, separatistët mbështetës të Moskës në Lindje të Ukrainës, po e trajtojnë atë që duhet të konsiderohej skenë krimi, me gjithë respektin që i rezervohet një zone turistike, duke penguar ekspertët ndërkombëtare, por duke u lejuar, nga ana tjetër, grupeve paraushtarake, ushtrisë së mediave dhe banorëve të zonës, të enden lirshëm atje, duke kontaminuar kësisoj provat e mundshme.

Mes kaosit që mbretëron në zonë, rreth 200 punonjës të Ministrisë ukrainase të Emergjencave mbledhin trupat e i vendosin në thasë plastikë. Disa, siç thonë, po dekompozohen shumë shpejt.

Një dëshmitar okular rrëfen se ka parë njerëz të vjedhin sendet e pasagjerëve të vdekur. Dikush mori një kamera, një tjetër tërhoqi një palë dylbi, e pastaj i hodhi tutje se qenë të thyera, tregon ai. Po sillen si të ishin hajdutët më të këqinj. E gjithë kjo të fut krupën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB