
Sendet personale të pasagjerëve të avionit malajzian dëshmojnë përmasat reale të tragjedisë. Minatorët dhe ushtria janë ende në fazën e kërkimit të trupave dhe ende nuk e kanë pastruar zonën nga sendet e pasagjerëve që ndodheshin në bord.
Ndërkohë që mësohet se trupa të pajetë janë gjendur edhe në çatitë e shtëpive të zonës ku ranë mbetjet e avionit. Burimet zyrtare kanë konfirmuar se ndër 295 viktima, 80 prej tyre ishin fëmijë. Fusha është e tejmbushur me lodra të cilat ata i mbanin gjatë udhëtimit të tyre.
Prestigjozja “Dalily Mail” publikon një fotografi shokuese e cila tregon qartë imazhin pikëllues të një viktime të mitur shtrirë në një fushë. Fëmija mendohet të jetë viktima më e re në moshë e aksidentit.
Këshilltar i qeverisë ukrainase, i cili e publikoi për mediat, deklaroi: “Zoti Putin, vdekja e kësaj foshnje është në ndërgjegjen tuaj”.
Por jo vetëm kaq, në fokus të fotoreporterëve ndërkombëtarë kanë qenë sende personale nga më të thjeshtat që u përkisnin viktimave, përfshirë bluza, çanta, harta, lodra, libra, vizatime fëmijësh, të gjitha këto për të dëshmuar sesi njerëz të pafajshëm ranë pre e një sulmi fatkeq.
Familjarët e viktimave tentojnë për të shkuar në vendin e ngjarjes duke mbajtur shpresa, ndonëse të kota. Të gjitha këto prova kanë etiketuar në qendër të tyre presidentin rus Vladimir Putin.
Mediat e kanë fotografuar atë jo më larg ditës së djeshme, duke vizituar Kishën Ortodokse, vizitë që është komentuar me frazën: “A keni ndonjë gjë për të rrëfyer zoti Putin?”.
Nga ana tjetër, njerëz të thjeshtë nga anë të ndryshme të botës kanë demonstruar në mënyrën e tyre qëndrimin kundër kreut të Kremlinit.
Presioni ndërkombëtar ndaj Rusisë sigurisht që vjen si pasojë e anës njerëzore që gjithkush ka ndjerë teksa u bë i ditur lajmi se avioni me pasagjerë civilë u sulmua në mënyrë të padrejtë.
Top Channel