
Pasi shkaktoi 54 viktima në Filipine, tajfuni ‘Rammasun’ ka goditur edhe jugun e Kinës, ku deri tani raportohet për një person të vdekur në ishullin Hainan.
Tajfuni zbarkoi në ishull me erëra deri në 130 kilometra në orë. Agjencia kineze e lajmeve ‘Xinhua’ tha se ‘Rammasun’ ishte tajfuni më i fuqishëm, të paktën në 9 vitet e fundit. Një burrë në qytetin e Wengtian në Hainan vdiq pasi u godit nga rrënojat e shtëpisë së tij të shkatërruar.
Më shumë se 26 mijë persona në Hainan janë evakuuar, të cilët janë vendosur në vendbanime provizore. ‘Xinhua’ tha se autoritetet vendase janë vënë në gatishmëri të lartë për të zvogëluar sa më shumë pasojat e kalimit të tajfunit.
Ditën e premte qeveria filipinase e rriti në 54 numrin e viktimave nga ‘Rammasun’, ndërsa më shumë se 100 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Top Channel