
Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden dhe Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko i kanë bërë thirrje Moskës për të ndikuar te separatistët pro-rusë në arritjen e një armëpushim, për t’i dhënë mundësi hetuesve të zbardhin ngjarjen e rëndë të ndodhur të enjten, ku 298 persona humbën jetën, pas rrëzimit të ‘Boingut’ 777.
Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë, në të cilët thuhej se Biden dhe Poroshenko zhvilluan një bisedë telefonike, ku diskutuan mbi situatën në lindje të Ukrainës dhe rrëzimin e avionit të “Malaysia Airlines”.
“Ata ranë dakord që pala përgjegjëse për armatosjen e separatistëve, Rusia të bëjë thirrje publike që pro-rusët të lënë armët, duke u ofruar mundësinë ndërkombëtarëve të kryejnë një hetim të plotë për rrëzimin e avionit me 298 pasagjerë”, thuhej deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, një grup vëzhguesish ndërkombëtarë thonë se rebelët pro-rusë nuk i kanë lejuar ata që të afrohen pranë vendit ku ka rënë avioni. Një zëdhënës i OSBE-së tha se zona është e kontrolluar nga njerëz të armatosur.
Pavarësisht thirrjeve të fundit nga SHBA-ja, por edhe nga përfaqësues të BE-së, luftimet vazhdojnë me një intensitet të lartë në lindje të Ukrainës. Vetëm gjatë ditës së premte kanë mbetur të vrarë 20 persona, ndërsa një pjesë e madhe e qytetit të Luhansk është pa ujë dhe pa energji, pasi një një nënstacion i energjisë elektrike është dëmtuar nga bombardimet e fundit.
Top Channel