Pro-rusët pengojnë hetimin

19/07/2014 00:00

Grupi ndërkombëtar i hetuesve të OSBE-së që zbarkoi në lindje të Ukrainës për të hetuar rrëzimin e fluturimit MH17 të “Malaysia Airlines” po bllokohet në punën e tij nga separatistët pro-rusë.

Një zëdhënës i OSBE-së tha se 25 hetuesit e kësaj organizate po kufizohen në lëvizjet e tyre nga rebelë të armatosur që i ndjekin hap pas hapi në çdo lëvizje. Ndërkohë, Kievi zyrtar akuzoi separatistët se po prishin provat për hetimin e tragjedisë. 

Dyshimet se avioni Boeing 777 u rrëzua nga një raketë tokë-ajër e separatistëve pro-rusë sa vjen e përforcohen më shumë. Plot 298 persona gjetën vdekjen nga tragjedia e rëndë, mes të cilëve 80 fëmijë. Pjesa më e madhe e viktimave janë shtetas holandezë që po udhëtonin për pushime.

Sipas kompanisë “Malaysia Airlines”, në bordin e avionit kanë qenë 189 shtetas holandezë, 27 australianë, 44 malajzianë, përfshirë këtu edhe stafin prej 15 personash, 12 indonezianë, 10 britanikë dhe një numër shtetasish të tjerë.

Micheal Bociurkiw, pjesëtar i grupit hetimor të OSBE-së, tha se aksesi i tyre në zonën e përplasjes është ndaluar, pavarësisht garancisë së marrë prej komandantëve të rebelëve se do të lejoheshin të vizitonin vendin.

“Një militant i armatosur qëlloi në ajër me armë kur njëri prej anëtarëve të grupit të hetimit u përpoq të afrohej në zonën e rënies së avionit”, tha ai për gazetarët.

Bociurkiw thotë se disa trupa të pajetë janë gjetur, por nuk janë lëvizur nga grupet e emergjencave për shkak të kaosit të krijuar se detyra e kujt ishte lëvizja e këtyre trupave.

Ndërkohë, qeveria ukrainase akuzoi separatistët se po shkatërrojnë provat në vendin e ngjarjes. Kievi thotë se rebelët e drejtuar nga Rusia po pengojnë përfaqësuesit ndërkombëtarë të këqyrin vendin e rënies së avionit dhe po shkatërrojnë të gjitha materialet që mund të çojnë në zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të avionit.

Korrespondenti i BBC në vendngjarje, Daniel Sandford thotë se një hapësirë e gjërë është mbuluar me pjesë të fluturimit MH17.

Në pamjet e pakonfirmuara shihet momenti i goditjes. Raketa godet njërin prej motorëve të avionit dhe më pas ai nis rënien e lirë nga 10 mijë metra lartësi me njërin prej motorëve në flakë.

Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për një hetim të thellë dhe të pavarur ndërkombëtar, ndërsa dy palët në konflikt në Ukrainë fajësojnë njëra-tjetrën. Qeveria ukrainase e cilësoi një “akt terrorist” dhe publikoi përgjime të shërbimeve sekrete, ku pretendohet se janë kapur bisedat mes drejtuesve të rebelëve pak pas rrëzimit të avionit, biseda këto që për Kievin provojnë autorësinë e tyre.

Por separatistët rusë thonë se fluturimi MH17 është rrëzuar nga një avion luftarak ukrainas.

Të premten presidenti Obama tha se provat e deritanishme sugjerojnë që avioni është rrëzuar nga një raketë e lëshuar nga zonat e kontrolluara nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës. Ai e cilësoi ngjarjen “një dhimbje të papërshkrueshme” dhe tha se zbardhja e asaj që ka ndodhur është një detyrim moral ndaj familjarëve të viktimave.

Video e njësisë “Buk”

Ministria e Brendshme ukrainase publikoi një video në të cilën shfaqet një automjet duke transportuar një njësi raketash tokë-ajër, Buk, pikërisht si ato që mendohet se është goditur avioni i “Malaysia Airlines”.

Një njësi e tillë përbëhet nga katër raketa. Në pamjet e publikuara nga autoritetet ukrainase shihet se në njësinë e filmuar mungon njëra prej këtyre raketave, e cila besohet se është lëshuar për të goditur fluturimin MH17.

Videoja është postuar në internet dhe autorësia e saj nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Në internet qarkullon edhe një video e pakonfirmuar ku pretendohet se është kapur momenti i goditjes dhe rrëzimit të avionit të “Malaysia Airlines”.

Video po qarkullon në internet, por nuk është identifikuar ende origjinaliteti i saj.
 

Top Channel