Obama dënon vrasjen e civilëve

19/07/2014 00:00

Presidenti amerikan Barak Obama ka mbështetur të drejtën izraelite për t’u  vetë-mbrojtur, por u shpreh se ishte kundër përshkallëzimit të sulmeve në Gaza.

Në një bisedë me Kryeministrin izraelit  Benjamin Netanyahu ai theksoi se Izraeli gëzon të drejtën t’u kundërpërgjigjet sulmeve të militantëve të Hamas-it, por ngriti shqetësimin për humbjet e mëdha civile. Të paktën 300 palestinezë kanë gjetur vdekjen në 12 ditët e ofensivës izraelite.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon pritet të mbërrijë në rajon në përpjekje për të ndërmjetësuar midis Izraelit dhe Hamasit për t’u dhënë “fund luftimeve dhe për të gjetur një rrugë zgjidhjeje”.

Më herët Kryeministri izraelit kishte paralajmëruar një “zgjerim” të ofensivës, por Hamas, që kontrollon Gazan u kunderpergjigj se Izraeli do të “paguajë shtrenjtë” për pushtimin.

Ndërkohë, Presidenti palestinez Mahmud Abbas i ka kërkuar Turqisë dhe Katarit që t’i bëjnë thirrje Hamasit që të pranojë kushtet armëpushimit me Izraelin që e ka ndërmjetësuar shteti egjiptian.

Top Channel