
Të paktën 19 emigrantë kanë vdekur nga asfiksimi teksa ndodheshin në një varkë të tejmbushur që po udhëtonte nga Afrika e Veriut drejt Italisë.
Emigrantët mendohet të kenë gëlltitur tymin e lëshuar nga motori i vjetër i mjetit lundruesh, edhe për faktin se ndodheshin nën kuvertë, raporton agjencia e lajmeve ANSA.
Skuadrat e shpëtimit gjetën 18 persona të pajetë në mes të njerëzve, ndërsa një person tjetër humbu jetën teksa po evakuohej. Varka po transportonte rreth 600 persona.
Shumë prej klandestinëve ndërmarrin rrugën e rrezikshme detare me mjete lundruese të degraduara për të arritur kush Italinë e kush më pas vendet e tjera të Perëndimit.
Në incidentin e fundit varka ishte drejtuar për në ishullin italian të Lampeduzës dhe u lokalizua pasi lëshoi sinjalin SOS. Dy pasagjerë u morën dhe u dërguan për mjekim në një spital të Siçilisë për shkak të gjendjes së rëndë.
Në muajt e fundit të paktën 45 emigrantë kanë humbur jetën në rrethana të ngjashme, pasi janë shtypur nga njerëzit si pasojë e mbipopullimit të varkës, ose janë asfiksuar.
Ditën e premte agjencia e lajmeve ANSA raportoi se emigrantët e shpëtuar nga një anije tregtare më herët gjatë javës kishin thënë se një mjet lundrues me 60 persona ishte mbytur.
Së fundmi ka pasur një rritje masive të numrit të emigrantëve që tentojnë të kalojnë Mesdheun për në Itali, edhe për shkak të luftrave në vendet afrikane.
Agjencia e Bashkimit Evropian për ruajtjen e kufijve, FRONTEX, deklaron se rreth 60 mijë emigrantë kanë zbarkuar deri tani në jug të Italisë që nga fillimi i vitit.
Top Channel