Irak, komuniteti i krishterë në arrati

19/07/2014 00:00

I tërë komuniteti i krishter i Mosulit, qyteti i dytë iraken i rënë muajin e kaluar në duart e xhihadistëve të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit, është detyruar të largohet në orët e fundit.

Kjo, pasi militantët u kishin bërë thirrje që të konvertoheshin në islamikë, ose të paguanin ‘Jiziya-n”, çmimi i mbrojtjes së pakicave fetare që parashikohet nga ligji islamik.

Lajmin e bëjnë të ditur dëshmitarë nga zonat e provincës Ninive dhe të rajonit autonom kurd, ku po mbërrijnë mijëra refugjatë.

Komunitetet e krishtera në Irak ndodhen nën kërcënimin e vazhdueshëm të militantëve të ISIS-it, të cilët po avancojnë me synimin e tyre për krijimin e shtetit islamik.

Ndërkohë, në zhvillime të tjera, të paktën 24 persona janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur të shtunën nga shpërthimi i katër autobombave në Bagdad.

Një kolonel i policisë lokale ka bërë të ditur se atentatet ndodhën në lagjet Abu Dshir, Al Baja, Al Xhihad dhe Hurrija.

Top Channel