
Vangjel Dule dhe Vasil Bollano kanë mbërritur në Himarë për të kundërshtuar nga atje variantin e komisionit për bashkimin e saj me Vranishtin dhe Lukovën.
Fillimin e takimit me grupet e interesit të thirrur prej tij si nënkryetar Parlamenti, Dule ashtu si Bollano ka folur në gjuhën greke. Por më shumë sesa imponimi i variantit që propozon kreu i PBDNj-së, Dule dhe ai i Omonias, Bollano, të cilët refuzojnë bashkimin e Vranishtit me Himarën dhe Lukovën, takimi reflektoi ndasi edhe nga ky variant.
Një pjesë e të pranishmëve e ka kundërshtuar edhe bashkimin me Lukovën, ndërsa pjesa tjetër ka qenë pro bashkimit. Por këta të fundit e kanë argumentuar mbështetjen e bashkimit të Himarës me Lukovën vetëm me elementë ekonomikë apo edhe fetarë duke qenë se janë ortodoksë, ndërsa Vranishti mysliman.
Ndërsa për kreun e PBDNJ-së, Himara nuk mund të bashkohet me Vranishtin për shkak se ai beson se është minoritet grek. “Për disa në Himarë nuk ka minoritet grek. Për mua dhe shumë të tjerë që u përmbahemi konventave ndërkombëtare, ku secili ka të drejtë të shprehë identitetin e vetë, në Himarë ka minoritet grek historik”, deklaroi Dule.
Por për Dulen, bashkimi i Vranishtit me Himarën ka vetëm një qëllim, atë elektoral. “Krijimi i njësisë së re administrative sipas propozimit që Himarës dhe Lukovës t’i bashkangjitet Vranishti ka një qëllim, i cili është i mbrapshtë në konceptimin e vetë dhe me pasoja të rrezikshme nëse finalizohet. Është vetëm qëllim elektoral. Duan ta përdorin Vranishtin si trupë elektorale sepse besojnë se do të shkojë verbërisht pas planeve të tyre për të mbajtur peng në vazhdimësi autoritetin lokal të Himarës. Kjo nuk mund të ndodhë”, theksoi Dule.
Ndërsa kreu i Omonias paralajmëroi përshkallëzim të qëndrimeve kundërshtuese. “Ne do përshkallëzojmë qëndrimet tona, edhe në drejtim të bashkëpunimit parlamentar, edhe në drejtim të masave që nuk janë objekt i Dules apo i Bollanos, por që janë objekt i strukturave të subjektit politik. Ne do bisedojmë dhe do marrim vendimet e caktuara në momente të caktuara”, deklaroi Bollano.
Por në kundërshtim me qëndrimet e Dules dhe Bollanos, që pretendojnë ekzistencën e minoritetit grek në Himarë, himariotë të tjerë kanë deklaruar në këtë takim se nuk u bënë grek vetëm pse morën një pasaportë greke, ashtu sikundër grekët, thanë ata, nuk u bënë shqiptarë pse këta të fundit shkuan në Greqi. Himara ka gjuhë të vjetër e të bukur, që nuk është greqishtja, shtuan ata.
Sensibiliteti i PBDNj-së për Himarën, e përfaqësuar në komisionin e reformës territoriale me deputetin Andrea Marto, njohu rritje vetëm pas miratimit të variantit final të hartës, ku u bë pjesë edhe PDIU së bashku me propozimet e saj.
Top Channel