Një ditë pas seancës konstituitive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi ka deklaruar se partitë politike që humbën zgjedhjet e 8 qershorit kanë dhunuar institucionin më të lartë të vendit.

Ai ka thënë se në seancën e së enjtes janë parë skena të jo dinjitoze, të nxitura nga liderë politike që kurrë në jetën e tyre nuk kanë fituar asnjë palë zgjedhje në 15 vite në Kosovën e lirë.

“Partitë politike humbëse të zgjedhjeve të 8 qershorit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, si dhe në kundërshtim me vullnetin dhe verdiktin e qytetarëve të vendit, dhunuan institucionin më të lartë të vendit, duke e shndërruar atë në arenë të imponimit arbitrar të tekeve”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

Duke i konsideruar si krejtësisht të kundërligjshme dhe të pavlefshme vendimet e marra nga partitë parlamentare që Thaçi i quan uzurpatorë të seancës konstituitive, ai shpreh qëndrimin se këto vendime që dolën nga një proces anti-ligjor, anti-demokratik dhe anti-kushtetues janë të pavlefshme.

“Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me zhvillimet e dhunshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të kërkuar rivënien e legalitetit dhe legjitimitetit në këtë institucion”, ka shkruar Thaçi.

Lideri i PDK-së ka ftuar qytetarët për qetësi dhe për besim në shtet ligjor.

Një ditë më parë, koalicioni opozitar zgjodhi Isa Mustafën si Kryetar të Kuvendit. Ai mori 65 votat e deputetëve nga 82 sa ishin të pranishëm në sallë gjatë udhëheqjes së seancës në gjuhën serbe nga deputetja e listës Srspka, Milka Vuletiç nga Leposaviçi.

Në mungesë të marrëveshjes politike, deputetët e lëvizjes Vetëvendosje abstenuan, por propozuan kandidatin për nënkryetar të Kuvendit. Zgjedhja e Mustafës u bë pasi 120 deputetët e kësaj legjislature bënë betimin.
 
“Në Kuvend do të merremi me tema që janë në interes të Republikës së Kosovës, me çështje që sigurojnë zhvillimin ekonomik, punësimin, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe do të mundohemi të përforcojmë partneritetin ndërkombëtar”, tha zoti Mustafa.
 
Por, si erdhi deri tek zgjedhja e zotit Mustafa për kryetar të Kuvendit? Deputetet e PDK-së në fakt kishin zënë ulëset në qendër të sallës së Kuvendit shumë kohë para se zyrtarisht të fillonte punimet seanca një shenjë kjo për të treguar se ky grup parlamentar ka të drejtë ta propozojë kanddiatin për kryetar kuvendi. Me këtë skenar duket se vijoi punimet edhe kryesuejsa e seancës deputetja e PDK-së Flora Brovina, e cila që në fillim nuk dëgjoi ankesat e bllokut LDK-AAK-Nisma sipas të cilit është shkelur vendimi i Kryesisë së Kuvendit përsa i përket ulëseve.
 
Duke parë këtë situatë, ishte deputeti i PDK-së Hajredin Kuçi i cili propozoi që sipas një koncensusi të arritur, çështja e kryeparlamentarit të shkojë në Gjykatën Kushtetutese. Një propozim i tillë nuk gjeti mbështetjen e subjekteve të tjera politike për çka edhe nën ndikimin e kolegëve të saj partiak, Flora Brovina ftoi deputetët e të gjitha subjekteve për konsultime.
 
Në gjithë këtë situatë ajo që duket se nuk kishte njohuri për procedurat parlamentare ishte deputetja më e re e Kuvendit, Teuta Rugova, e cila po kështu kishte për detyrë ta udhëheqë seancën. Nuk mjaftuan as thirrjet nga deputetet e tjerë që ajo të zinte vendin e Brovinës dhe të vazhdojë udhëheqjen e seancës konstituive.

Kjo seancë nuk pati tensione siç ishte pritur, por nuk munguan kritikat në drejtim të Flora Brovinës, e cila u kritikua se po refuzonte ta drejtonte seancën e Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA