“Rusia do ta paguajë shtrenjtë”

18/07/2014 00:00

Rrëzimi i avionit të “Malaysia Airlines” ka përshkallëzuar në një tjetër gradë tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit.

Senatori amerikan, John McCain tha se nëse provohet që avioni është rrëzuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës, kjo do të ketë pasoja të rënda për Moskën.

“Bëhet fjalë për një avion pasagjerësh që po i drejtohej hapësirës ajrore ruse. Unë nuk po them që avioni është rrëzuar me qëllim, por ka dyshime të forta që avioni mund të jetë ngatërruar me një avion luftarak ukrainas nga ana e separatistëve. Nëse kjo rezulton e vërtetë Rusia dhe separatistët e mbështetur prej saj duhet dhe do të paguajnë shtrenjtë”, tha McCain.

Senatori amerikan kritikoi edhe presidentin Obama për ato që i cilësoi si sanksione anemike të vendosura prej tij dhe administratës që ai drejton ndaj Rusisë. Ai tha se qëndrimi i butë i Obamas ndaj Moskës dhe veprimeve të saj në rajon po ofendojnë Shtetet e Bashkuara.

“Është ofenduese të mendosh se sa pak ka bërë SHBA për të ndalur Rusinë dhe për të ndihmuar qeverinë ukrainase me armë. Ata po na luten vazhdimisht për armë, por ne nuk i jemi përgjigjur thirrjeve të tyre”, vlerësoi McCain në një intervistë për televizionet amerikane.

Top Channel