Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese vendimin e seancës konstituitive të Kuvendit e përmes së cilës konteston zgjedhjen e Isa Mustafës si kryeparlamentar.

Kërkesa e PDK-së është bërë në emër të të gjithë deputetëve të kësaj partie, të përfaqësuar nga deputeti Xhavit Haliti.

Ky i fundit, pasi dorëzoi bashkë me nënkryetarin e partisë Memli Krasniqi lëndën në gjykatë, tha se partia e tyre nuk e njeh udhëheqësin e ri të Kuvendit, ndërsa kërkon që procesi i zgjedhjes të rikthehet në fillim.

“Ne sot dorëzuam një kërkesë të deputetëve të grupit tonë parlamentar, përmes të cilës kontestuam zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, përmes të cilës janë bërë shkelje të Kushtetutës dhe proçedurave. Ne kërkojmë që e gjithë kjo proçedurë të pezullohet dhe të mbahet seancë e re”, deklaroi Haliti.

Haliti dhe Krasniqi thanë se presin që vendimet e Kuvendit në seancën konstituitive të anulohen pasi janë marrë duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës.

Deputetët e PDK-së në listën e pyetjeve për Gjykatën Kushtetuese kanë filluar nga shkelja që ata pretendojnë se ka bërë ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi më 12 korrik, kur është bërë rendi i ditës për seancën konstituitive ku në atë mbledhje u bë njoftimi për grupin parlamentar LDK-AAK-Nisma.

Në kërkesën e tyre, deputetët e PDK-së kanë kërkuar edhe sqarime dhe konfirmime se cili është grupi më i madh parlamentar në Kuvend, ndërsa për këtë çështje kanë ofruar edhe argumente ligjore.

Po ashtu, ata kanë pyetur për ligjshmërinë e shkarkimit të kryesueses së seancës që e kishte mbyllur atë dhe për ligjshmërinë e mbajtjes së seancës tjetër.

Në fund të kërkesës, deputetët e PDK-së i kanë bërë thirrje gjykatës që të vendosë si masë të përkohshme pezullimin e procesit konstituitiv të Kuvendit deri në pritje të vendimit përfundimtar të saj.

Reagon Mustafa: Kushtetuesja nuk merret me vendime politike

Kryetari i ri i Kuvendit, Isa Mustafa, reagon pas ankesës së PDK në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e tij. Në një intervistë për “Express”, ai thotë se Gjykata Kushtetuese nuk merret me vlerësime politike, por me ato juridike.

“Gjykata Kushtetuese nuk vendos se si do të votojnë deputetët e Republikës së Kosovës. Vota e deputetëve ka ndodhur, qëndrimi i deputetëve është aty dhe kjo është çështje politike. Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet t’i frikësohemi, por ato vendime duhet të jenë në harmoni me Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi besim në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo jemi të vetëdijshëm se kjo gjykatë s’merret me vlerësime politike, por vetëm me aspekte juridike”, citohet të ketë thënë Mustafa.

Ai shton se, nëse ripërsëritet seanca konstituitive, atëherë koalicioni “LDK-AAK-NISMA” do të fuqizohet edhe më shumë. Mustafa nuk sheh arsye të kontestohet vullneti i 83 deputetëve. I pyetur për deklaratën e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, se Kuvendi është uzurpuar, Mustafa tha se “nëse dikush ka uzurpuar Kuvendin, atëherë ajo është Flora Brovina, e cila ka qenë deputete e koalicionit të PDK-së dhe që ka penguar mbarëvajtjen e seancës konstituitive të Kuvendit”.

Mustafa, nga ana tjetër, konfirmon se ende ka hapësirë për arritjen e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai falënderoi Vetëvendosjen për qëndrimin konstruktiv dhe shtetformues, sipas tij, që mbajti të enjten në Kuvend.

“Por, ne nuk arritëm të harmonizojmë qëndrimet, sepse ishte koha shumë e shkurtër sa i përket qëndrimeve tona, lidhur me dialogun dhe lidhur me procedimet me privatizimin. Ne duhet të bisedojmë me Lëvizjen Vetëvendosje edhe më tutje dhe ka hapësira të mëdha, që t’i bashkërendisim dhe të gjejmë interesin tonë të përbashkët”, citohet Mustafa.

Ai komentoi edhe për faktin se bashkësia ndërkombëtare nuk e ka uruar për postin e marrë, siç bën zakonisht. Është e rëndësishme, thotë ai, që në seancën e djeshme kanë qenë 83 deputetë, ndërsa urimet janë çështje e tyre.

Duke komentuar vendimin e presidentes për të mos e mandatuar kryeministrin, Mustafa, ndonëse tha që është në dorën e presidentes të vendosë në momentin e duhur, ftoi po kështu që në këtë rast të zbatohet Kushtetuta, vullneti politik dhe vullneti i deputetëve, i cili nuk mund të ndryshojë, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në procedurat e mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA