
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është i përgatitur të zgjerojë edhe më tej ofensivën tokësore kundër militantëve të Hamas-it në Rripin e Gazas.
Deklarata e tij u bë pak orë pas nisjes së ofensivës ku qindra trupa të mbështetur nga tanke dhe mjete të tjera të artilerisë së rëndë nisën mësymjen në zonën e kontrolluar nga Hamas.
Organizata palestineze nga ana e saj deklaroi se “Izraeli do të paguajë shtrenjtë për pushtimin që ka ndërmarrë”.
Vendimi për të hyrë në Rripin e Gazas u mor pas 10 ditëve bombardime në të cilat mbi 200 palestinezë kanë gjetur vdekjen, pjesa më e madhe e të cilëve civilë.
Sipas Tel Avivit, qëllimi i këtij operacioni është për të “krijuar një realitet në të cilin banorët izraelitë mund të jetojnë në siguri të plotë dhe pa terror të vazhdueshëm që vjen nga infrastruktura terroriste e Hamasit”.
Gjithashtu dhe mediat izraelite pohuan se synim kryesor i ofensivës tokësore është shkatërrimi i tuneleve që mund të përdoren nga militantet për të depërtuar në Izrael.
Tensionet u rindezën pas rrëmbimit e më pas gjetjes të vrarë të tre adoleshentëve izraelitë. Izraeli fajësoi për këtë Hamas-in. Ky i fundit mohon akuzat. Si të mos mjaftonte kjo, dy ditë pas gjetjes së trupave të tre adoleshentëve izraelitë, trupi i pajetë i një 17-vjeçari palestinez gjysmë i djegur u gjet në Jeruzalemin Perëndimor.
Kjo shkaktoi protesta masive të palestinezëve dhe përplasje me forcat e sigurisë izraelite. Nga Gaza nisën sulmet me raketa ndaj qyteteve izraelite, ndërsa autoritetet hebreje u kundërpërgjigjen me nisjen e një ofensive ushtarake duke përdorur dyfishin e forcës së përdorur në një ndërhyrje të ngjashme në vitin 2012.
Top Channel