
Cilido qoftë qëllimi apo edhe kohëzgjatja e ofensivës tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës, disa gjëra janë të qarta që në fillim. Ajo nuk do të çojë në rrëzimin e regjimit të Hamasit e as në ripushtimin e territorit nga ushtria izraelite.
Në fund, me të gjitha gjasat, edhe kjo lëvizje e egër e shtetit hebre do të mbyllet me një armëpushim të ndërmjetësuar nga aktorë të jashtëm, si Egjipti. Dhe, gjithçka do të rikthehet në gjendjen përpara konfliktit, deri sa tensionet të vlojnë për të shpërthyer sërish.
Pra, çfarë po kërkon të arrijë Izraeli me dërgimin e ushtarëve në terren? Si fillim, vendimi i dhënies së dritës jeshile ofensivës tokësore, për BBC-në mund të ketë një qëllim objektiv, deri diku: zbulimin dhe shkatërrimin e tuneleve të ndërtuara nga Hamasi e grupe të tjera militante, me shpresën t’i përdorin për të dërguar në Izrael luftëtarë të armatosur rëndë.
Një përpjekje e tillë, në fakt, u arrit të zmbrapsej mëngjesin e së enjtes. 13 militantë palestinezë dolën nga një tunel mes Kerem Shalom dhe Kibbutz Sufa, në lindje të Rripit të Gazës, e kur forcat izraelite i diktuan, nuk vonuan t’i godisnin duke vrarë disa vetë, e duke detyruar të tjerët të ktheheshin mbrapsht.
Operacioni tokësor bart në vetvete, megjithatë, rreziqe të mëdha. Më së pari për vetë trupat e shtetit hebre, që do të bëhen tepër të cënueshme nga sulmet e luftëtarëve palestinezë, të cilët kanë një infrastrukturë të nëndheshme aspak për t’u nënvlerësuar.
Pastaj është kërcënimi që sjell përdorimi i armëve të rënda për popullsinë civile në zonë. Shtimi i viktimave në radhët e kësaj të fundit, do të sillte padyshim një reagim edhe më të fortë ndërkombëtar dhe presione për fundin e operacioneve ushtarake sa më shpejt që të jetë e mundur.
Synimi kryesor i Izraelit duket se është të ushtrojë trysni mbi Hamasin e fraksione të tjera, për t’i detyruar të pranojnë pushimzjarrin. Jo më kot, zyrtarët izraelitë janë përpjekur të dërgojnë sinjale se nuk duan të rimarrin në dorë kontrollin e Rripit të Gazës, dhe se ajo çfarë pretendojnë është thjesht rikthimi i qetësisë dhe sigurisë.
Top Channel