Tarifat e Trump godasin whiskey-n, ndalon prodhimin distileria e Jim Beam Në mesin e tronditjes që shkaktoi aksidenti ajror i një dite më parë, numri dy i administratës amerikane Joe Biden pohoi hapur atë që u përfol me t’u mësuar për ngjarjen e rëndë. Rrëzimi i Boingut 777 me 298 persona në bord nuk ishte aksidental.
“Avioni malajzian që udhëtonte nga Europa perëndimore për në Kuala Lumpur me të gjitha gjasat është qëlluar. Nuk ka qenë aksident. Ai është goditur në fluturim”, deklaroi Biden.
Më herët, zyrtarë në Pentagon konfirmuan se avioni është qëlluar raketë, por nuk dihet nga është hedhur ajo, nga territori rus apo ai ukrainas.
Ndoshta qëllimi nuk ka qenë goditja e një avioni pasagjerësh, por mjeti mund të jetë ngatërruar gabimisht me një avion ushtarak transporti. Boingu i nisur nga Amstërdami për në Kuala Lumpur u rrëzua në rajonin lindor të ukraines, Donetsk, diku pranë qytetit Snizhne.
Dëshmitarët okularë rrëfyen se copat e tij ishin shpërndarë në një fushë, zonë kjo e kontrolluar nga rebelët pro-rusë të cilët kanë pranuar të lejojnë hyrjen e ekspertëve ndërkombëtarë për të hetuar mbi tragjedinë.
Të paktën 154 nga pasagjerët në bord ishin holandezë, 27 australianë, 45 malajzianë, përfshirë dhe anëtarët e ekuipazhit, e pjesa tjetër qenë shtetas gjermanë, belgë, filipinas e kanadezë.
Presidenti Obama i telefonoi kryeministrit holandez, Mark Rutte, për t’i shprehur ngushëllimet e tij. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka biseduar edhe me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, të cilit i ofroi ndihmën e pakursyer të ekspertëve amerikanë.
Dy liderët theksuan ndër të tjera rëndësinë që të gjitha faktet të mbeten në Ukrainë. Vetë kryeministri malajzian Najib Razak nuk e konfirmoi që avioni të jetë rrëzuar prej një rakete, por shtoi sidoqoftë se përpara episodit fatkeq, piloti nuk dërgoi asnjë sinjal për të shprehur ndonjë shqetësim.
Ukraina akuzon separatistët pro-rusë se e kanë rrëzuar avionin, duke e qëlluar me një raketë tokë-ajër, ndërsa udhëheqësit rebelë thonë se avionin e ka rrëzuar një avion luftarak ukrainas.
“Gabim apo terrorizëm”
Avioni u rrëzua në zonën mes qyteteve Krasni Luch dhe Shakhtar në vijën ndarëse mes rajonit Luhansk dhe Donetsk.
Në një intervistë për BBC, kreu i kontrollit ajror rus, Sergei Kovalyov tha se hapësira ajrore ukrainase ishte mbajtur e hapur gjatë konfliktit sepse avionët e rrëzuar më parë ishin avionë të vegjël apo helikopterë.
“Që të rrëzosh një avion që fluturon në 10 mijë metër lartësi duhet të jesh i pajisur me armë serioze, me raketa serioze. Në këtë rast ose bëhet fjalë për një gabim, ose për një akt terrorist”, tha ai.
Përgjimet ukrainase që fajësojnë Rusinë
Publikohen bisedat telefonike mes separatistëve pas rrëzimit të avionit
Fluturimi MH17 i “Malaysia Airlines” me shumë mundësi është rrëzuar nga një raketë e lëshuar nga një grup militantësh kozakë të mbështetur nga Rusia.
Autoritetet ukrainase publikuan dy biseda telefonike të zhvilluar mes udhëheqësve të militantëve pak momente pas rrëzimit të avionit. Telefonata e parë është regjistruar në orën 16:40 me orën lokale, 20 minuta pas rrëzimit të avionit mes Igor Bezler, që për shërbimin sekret ukrainas është një oficer i inteligjencës ruse dhe një ndër drejtuesit kryesor të të vetshpallurës Republika Popullore e Donetskut dhe Vasili Geranin, i cili po sipas inteligjencës ukrainase është kolonel në departamentin e forcave të armatosura të Rusisë.
Transkriptimi i plotë i telefonatës së parë
Igor Bezler: Sapo kemi rrëzuar një avion. Ra në rrethinat e Yenakievo-s
Vasili Geranin: Pilotët? Ku janë pilotët?
Igor Bezler: Jemi nisur për në zonë, të fotografojmë avionin dhe të kërkojmë. Po del shumë tym.
Vasili Geranin: Para sa minutash?
Igor Bezler: Rreth 30 minuta më parë.
Shërbimi inteligjent ukrainas thotë se pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe pasi kishin kuptuar se cfarë kishin rrëzuar kapet telefonata e dytë mes dy separatistëve, njëri i identifikuar si “Majori” dhe tjetri si “Greku”.
Majori: Janë shokët Chernukhin ata që rrëzuan avionin. Janë ata të posto-bllokut të Chernukhin-it, ata kozakët e Chernukhin-it.
Greku: Po, Major.
Majori: Avioni është coptuar në ajër në afërsi të minierës Petropavlovskaya. Kemi gjetur 200 të parët (referuar personave të vdekur). Civilë.
Greku: Cfarë kemi tjetër?
Majori: Shkurt, me 100 përqind bëhet fjalë për një avion pasagjerësh, avion civil.
Greku: Sa njerëz?
Majori: Dreq! Tymi i avionit përfundoi tek shtëpitë.
Greku: Cfarë lloj avioni?
Majori: Akoma nuk kam mbërritur në zonën e përplasjes. Jam në vendin ku kanë rënë trupat e parë. Ka mbetje trupore, të ulëseve dhe të tjera.
Greku: A ka ndonjë armë?
Majori: Asgjë! Vetëm gjëra civile, pajisje mjekësore, letër higjenike…
Greku: A ka dokumente?
Majori: Po, njëra është e një studenti indonezian i Universitetit të Thompson-it.
Në bisedë ndërhyjnë edhe dy militantë të tjerë.
Militanti 1: Avioni ra në afërsi të Grabove-s. Ka shumë trupa grash dhe fëmijës. Kozakët janë atje për të parë cfarë ka ndodhur. Në televizor po thonë që është një avion transporti AN-26 i shkruajtur “Malaysia Airlines”. Cfarë bënte ky avion në territorin ukrainas?
Nikolai Kozitsin, një tjetër militant: Kjo do të thotë që po transportonte spiunë. Ata nuk duhet të fluturonin në këtë zonë. Këtu po bëhet një luftë.
Top Channel