Kuvendi i konstituuar të enjten nga partitë opozitare, pa prezencën e PDK-së nuk do të mund të marre ndonjë vendim apo të procedojë më tej me votimin e qeverisë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila pas konstituimit të Kuvendit në rrethana normale do të duhej ta dërgonte në Kuvend emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë, ka vendosur që njëherë të pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Këshilltari i Jahjagës, Arbër Vllahiu, ka thënë për Top Channel përmes një përgjigje elektronike se presidentja përveç zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, do të respektojë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për caktimin e mandatarit për kryeministër.

Por sipas tij, presidentja Jahjaga gjithsesi se do të respektojë edhe të drejtën e secilit subjekt politik që mund të kërkojë interpretime dhe sqarime ligjore që mund të ngrihen për çështjen e seancës së Kuvendit.

Shkeljet e ndryshme në seancën konstituive janë konfirmuar edhe nga njohës të Kushtetutës dhe ekspertë që e përcjellin punën e Kuvendit.

“Nëse rasti shkon në Gjykatën Kushtetuese, atëherë kryesia e zgjedhur dhe kryetari qëndrojnë dhe ushtrojnë funksionin e tyre, për aq kohë sa nuk kemi ndonjë vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese, i cili mund ta vërë në diskutim këtë rast, apo e shpall të pavlefshme votimin dhe të pavlefshëm vendimin për zgjedhjen e kryesisë dhe të kryetarit. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë mbetet kjo kryesi dhe vetëm plotësohet me numra të tjerë të PDK-së”, tha Dren Doli, jurist.

Në institutin për zhvillim dhe hulumtim të politikave shprehen të bindur që nëse Gjykata Kushtetuese nuk jep sqarime të qarta për seancën e së enjtes, mund të ndodhë bojkotim i Kuvendit nga njëri bllok duke thelluar kriza të reja.

“Është jashtëzakonisht e nevojshme që të bëhet një qartësim, nëse është i ligjshëm apo jo kryetari i Kuvendit, zoti Mustafa, për shkak se kjo do të paraqesë shumë vështirësi në funksionimin e mëtejshëm të Kuvendit. Nëse nuk do të kemi një vendim të qartë nga Kushtetuesja, ekziston rreziku që PDK të mos e njohë për kryetar zotin Mustafa dhe, në këtë mënyrë, të bojkotojë të gjitha seancat e mbajtura prej atij. Do të përsëritet skenari që ka ndodhur në Shqipëri, me bojkotim të seancave nga opozita”, shprehet Albert Krasniqi, nga KIPRED.

Edhe pika 2 e nenit 116  të Kushtetutës së Kosovës parasheh që Gjykata Kushtetuese mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar, mund të shkaktoj dëme të pariparueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA