Ka patur përpjekje radikale për të ndryshuar sistemin e drejtësisë në këto 24 vite demokraci, duke nisur që nga diplomat e famshme 6-mujore në vitin 1992. Por që atëherë kanë kaluar 22 vjet dhe sa herë që ka patur rrotacion politik, po aq të shumta kanë qenë përpjekjet për të futur duart tek drejtësia.
Pas muajsh punë dhe konsultimesh, mazhoranca e majtë ka dalë me një propozim konkret për reformimin e gjithë sistemit të drejtësisë. Por megjithëse pjesa më e madhe e palëve bie dakort për domosdoshmërinë e reformimit të sistemit, ajo që duket se shqetëson Presidentin në cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vetë KLD-në, anëtarët e tij dhe opozitën është propozimi i mazhorancës i cili për ta synon të kapë sistemin.
Nga ana tjetër janë ndërkombëtarët që kërkojnë reforma në drejtësi për një sistem më të drejtë dhe të pavarur. Por si mund të bëhet kjo reformë?
Për t’iu përgjigjur kësaj dhe të tjera pyetjeve në Top Story-n e kësaj të enjteje ishte i ftuar Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe zv.Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa.
I pari që mori fjalën ishte Ministri Naço. Ai si përfaqësues i qeverisë dhe i mazhorancës ka qenë në ballë të përplasjeve me KLD-në dhe me Konferencën Gjyqësore. Shkurtimisht Naço solli arsyet e ndërmarrjes së reformës.
“Mazhoranca një pjesë të votave që ka marrë më 23 qershor i ka marrë edhe për premtimin për të bërë reforma në sistemin e drejtësisë sepse sistemi aktual nuk ngjall besimin e publikut. Kemi një raport të Transparency International ku Shqipëria rënditet e 116, baraz me Laosin, Kamboxhian dhe Vietnamin. Si Ministër i Drejtësisë dhe në emër të qeverisë shqiptare kam kërkuar ndihmën e Komisionit të Venecias, po kështu edhe misionit EURALIUS 3 dhe 4 që do të vijë së shpejti. Reforma nuk është zëvendësim dhe as çështje emrash, por për të rregulluar sistemin. Sot gjendja është e rëndë, mjafton të përmendet fakti që nga 30 kryetarë gjykatash, 21 janë të komanduar prej muajsh dhe vitesh. Kjo është një situatë e pakëndshme sepse ndikon direkt në cilësinë e gjykimit. Gjyqtarët që kanë mbaruar magjistraturën qendronin në shtëpi dhe nuk futeshin në sistem. Unë kërkova nga KLD që të zbatojë ligjin, s’kërkova asgjë më shumë”, tha Naço.
Ai mohoi akuzat se mazhoranca po kërkon të vendosë nën kontroll sistemin e drejtësisë duke thënë se propozimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Komisionit të Ligjeve në parlament synojnë të vendosin rregull dhe janë të diktuara nga situata emergjente në të cilën ndodhet i gjithë sistemi. Naço fajësoi KLD për këtë situatë të krijuar.
“Kjo mazhorancë nuk ka futur duart në gjyqësor, por ka kërkuar që gjyqësori dhe drejtësia të bëjë drejtësi. Unë e kam kërkuar këtë nga KLD sepse KLD është qeveria e drejtësisë, që të emërojë gjyqtarët, t’i promovojë ata dhe t’i ngrejë në detyrë, t’i stimulojë gjyqtarët e mirë. Nuk është ndërhyrje e mazhorancës kërkesa që KLD të zbatojë ligjin, të bëjë punën e vet dhe të funksionojë si duhet. Ky sistem ka devijuar nga ligji. Kam kërkuar mbështetjen e KLD që të ndryshojmë sistemin me një sistem më të mirë dhe bashkëkohor. Nuk e gjeta këtë mbështetje dhe për këtë do të përdorim forcën e kartonit. Ky sistem gjyqësor që është nuk ka fytyrën e qeverisë, por fytyrën e KLD”, deklaroi ai.
Nga ana e tij zv.kryetari i KLD-së njohu nevojën për reformimin e sistemit, por u ndal tek propozimet e mazhorancës, të cilat sipas tij janë të paqartë dhe me mungesë të theksuara të ideve pasi janë hartuar pa u ndërmarrë më parë një analizë e thellë e sistemit.
“Nuk i kemi fshehur për asnjë moment problemet në gjyqësor, përkundrazi KLD ka qenë e para, atëherë kur zoti Naço nuk ishte anëtar i KLD, ka qenë ky institucion ku është përmendur për herë të parë fjala reformë. Reforma do një studim të mirëfilltë të situatës aktuale, i atyre elementëve që ndikojnë në perceptimin e publikut për gjyqësorin, reformë do të thotë ftesë për të gjithë aktorët e interesuar për përmirësimin e sistemit. Te të gjitha veprimet e deritanishme të Ministrit dhe mazhorancës në Komisionin e Ligjeve shoh një mungesë të theksuar të ideve dhe të qartësisë dhe kthejlltësisë për të analizuar situatën dhe tendencë për të sulmuar dhe fort madje. Situata nuk është ashtu sikundër po tentohet të paraqitet. Një nga detyrimet ligjore të KLD ishte vlerësimi në mënyrë periodike cdo 3 vjet për të gjithë gjyqtarët dhe kur ka ardhur Presidenti Nishani e kur jam zgjedhur nënkryetar i KLD-së situata ishte alarmante. Nga 2005 nuk ishte bërë asnjë vlerësim. Presidenti Nishani me shumë të drejtë zgjodhi alternativën që të mos bëhej asnjë emërim, asnjë promovim pa përfunduar sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve”, tha Cefa..
Në mbledhjen e një dite më parë, KLD vendosi shkarkimin e gjyqtarit të Pukës Shtjefën Lleshi i denoncuar nga Fiks Fare në Top Channel për korrupsion. Cefa përmendi rastin e tij dhe shpjegoi se përse nuk u mor vendimi i shkarkimit të tij më herët.
“Morëm një vendim të drejtë që u arsyetua dhe u mbështet nga gjithë anëtarët e KLD dhe u mor vendimi që ai person nuk mund të jetë më gjyqtar. Ne nuk mund të merrnim menjëherë vendimin e shkarkimit, por pak ditë pas publikimit të videos në Fiks Fare ne e pezulluam gjyqtarin dhe çfarë vlere ka se kur u shkarkua ai, kur përgjatë gjithë kësaj kohe ka qenë i pezulluar?!”, u shpreh zv.kryetari i KLD-së.
Ministri i Drejtësisë u ndal tek puna e KLD-së. Ai tha se ky institucion ka një mungesë të theksuar eficence dhe këtë e tregojnë, sipas tij, edhe vendime e zvarritura. Naço foli edhe për reformën e cila, sic tha ai, do të prekë të gjitha institucionet e drejtësisë.
“Ne nuk e kemi fshehur faktin që do të reformojmë Gjykatën e Lartë. Sot ajo ka 10 mijë dosje që presin aty. Do bëjmë ndryshime edhe në Kodet e Procedurës Penale e Civile. Synimi është që jo cdo cështje mund të shkojë në Gjykatën e lartë për t’u shqyrtuar. Gjykata e Lartë do të marrë vendime unifikuese. Kërkojmë të modelojmë gjithë sistemin e drejtësisë, ta reformojmë atë sepse me këtë ritëm nuk është i kënaqur askush. Kemi thënë që do të reformojmë Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, këshillin e prokurorisë, KLD, inspektoriatet e Ministrisë së Drejtësisë dhe të KLD dhe Shkollën e Magjistraturës. Në shtator do të organizojmë një konferencë kombëtare për reformën në drejtësi. Kemi mundësi t’i bëjmë që sot reformat, i kemi numrat, por nuk kemi dashur për shkak se duam përfshirjen e opozitës dhe gjithë aktorëve të tjerë”, tha Naço.
Gjatë dorëzimit të raportit të Komisionit për statusin e vendit kandidat, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle në konferencën e përbashkët që pati në Tiranë me Kryeministri Rama përsëriti kërkesën dhe nevojën për reforma në drejtësi. Përciptazi duket sikur ndërkombëtarët në këtë përplasje të mazhorancës me institucionin që qendron në krye të gjyqësorit, duket sikur janë në krah të mazhorancës. Zv.kryetari i KLD-së, Elvis Cefa tha se është normale që ndërkombëtarët të kërkojnë reforma, por tha se ata kërkojnë reforma serioze dhe cilësore duke kritikuar sërish propozimin e Ministrisë së Drejtësisë si të mangët dhe që rrezikon të gjithë sistemin.
Ministri e cilësoi Gjykatën Administrative një histori suksesi dhe një revolucion në sistemin e drejtësisë, ndërsa zbardhi propozimin për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për dhënien e mundësisë që shumë cështje të zgjidhen me mirëkuptim mes palëve që në sallën e gjyqit duke shkurtuar drastikisht kohëzgjatjen e panevojshme të shumë proceseve.
Duke iu rikthyer propozimit për KLD, Naço përmendi nenin që u ndalon anëtarëve të KLD-së që të promovojnë veten e tyre përsa kohë janë anëtarë të Këshillit, duke ja hequr këtë të drejtë madje edhe kur japin dorëheqjen.
Në pjesën e tretë debati u përqendrua tek rasti i gjyqtarit Gjin Gjoni, i hetuar nga organet e tjera ligjore me akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Pak kohë pas kallëzimit të ILDKP-së, Ministri Naço në cilësinë e anëtarit të KLD-së, dorëzoi në këtë institucion kërkesën për shkarkimin e Gjonit. Kërkesa e tij u rrëzua nga ky institucion. Ky qendrim dhe disa vendime të tjera kanë krijuar perceptimin në publik sikur ky institucion po mbron gjyqtarët e përfolur duke risjellë edhe njëherë në qendër të debatit nevojën e kufizimit të imuniteteve për gjyqtarët, ashtu sic edhe këshillojnë vazhdimisht ndërkombëtarët.
Zv.kryetari i KLD-së, Elvis Cefa interpretoi vendimet e institucionit që ai përfaqëson, ndërsa tha se në KLD nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e prokurorisë për gjyqtarin Gjoni dhe të tjerë gjyqtarë.
“Kufizimet e imuniteteve për gjyqtarët në Kushtetutë kanë të bëjnë me procedimin penal kundër tyre. Në asnjë nga rastet prokuroria nuk i është drejtuar KLD për një fakt të tillë. Rasti Gjoni është krejtësisht ndryshe. Është kërkuar nga Ministri i Drejtëssisë pas informacioneve të marrë nga ILDKP shkarkimi i gjyqtarit Gjin Gjoni. Është kërkuar përvec këtij rasti për të njëjtat kushte shkarkimi edhe i dy gjyqtarëve të tjerë. Nuk shpjegoj dot votën e anëtarëve të tjerë, por vota ime ka qenë kundër dhe argumentimi im ka qenë i njëjtë për të tre kundër sepse përsa kohë në tavolinën time nuk kisha prova që të vërtetonin akuzat ndaj tyre, por vetëm një shkresë”, tha Cefa duke këmbëngulur se KLD nuk po mbron Gjin Gjonin dhe as gjyqtarët e tjerë.
Ministri Naço tha se provat e paraqitura kanë qenë të mjaftueshme për shkarkimin e gjyqtarëve në fjalë.
“Kemi kërkuar shkarkimin e 3 gjyqtarëve sepse kanë shuma të mëdha pasurish të pajustifikuara. Kemi dërguar materialet tek KLD dhe kam propozuar që gjyqtarët të shkarkoheshin, por KLD më kërkonte provën mua sikur isha unë institucioni që po grumbullonte provat. Është detyrë e atij gjyqtari që para KLD të marrë lapsin dhe fletoren dhe të justifikojë pasurinë e tij. Dy rastet e tjera që ishin edhe bashkëshortë, burrë e grua, gjyqtari deklaron se i ka falur një biznesmen makinën, një biznesmen tjetër i kishte falur 20 mijë euro e kështu me radhë”, tha Naço.
Por për Elvis Cefën provat janë të pamjaftueshme. Ai tha se nëse prokuroria do të vërtetojë se këta gjyqtarë kanë shkelur ligjin, atëherë vendi i tyre është në burg dhe se do të ishte pikërisht ai i pari që do të votonte pro shkarkimit të tyre në KLD.
Në fund Ministri Naço foli edhe për nismën e ndërmarrë prej institucionit që ai drejton.
“Në nëntor ndërmorën nismën ‘Denonco korrupsionin’. Unë jam i kënaqur me rezultatet e dertanishme, por ne nuk u mjaftuam vetëm me parandalimin, por edhe me miratimin e ligjit anti-mafia për sekuestrimin e pasurive të të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë personave të tjerë në sistemin e drejtësisë. I bëj hirrje Ministri të Brendshëm, Kryeministrit dhe gjithë strukturave të tjera të qeverisë të bashkëpunojnë për të identifikuar dhe bllokuar këto pasuri”, tha ai.
Top Channel