Putin, kritika sanksioneve të reja të SHBA

17/07/2014 00:00

Vladimir Putin i kritikoi sanksionet e fundit të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, duke shtuar se ato do të dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve e do të prekin bizneset.

Komentet e shefit të Kremlinit erdhën pas masave të reja të Uashingtonit, pasojë e vazhdimit të tensioneve në Ukrainë, situatë kjo për të cilën Amerika fajëson Moskën dhe mbështetjen që ajo u jep separatistëve.

Sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara do të prekin disa nga bankat e mëdha, kompanitë e energjisë, si edhe ato të mbrojtjes. Në listë figurojnë, mes të tjerësh, edhe ‘Gazprombank’ e ‘Rosneft’, si dhe disa zyrtarë të lartë rusë.

Për Putin-in, një lëvizje e tillë i çon marrëdhëniet mes dy vendeve drejt një “rruge pa krye”.

“Të tilla ndëshkime nuk do të shërbejnë veçse për të gjeneruar reaksion ndaj kompanive amerikane që veprojne në Rusi, dhe kjo nuk është në interesin e këtyre të fundit, e as të qeverisë e popullit amerikan”, është shprehur Putin.

Ministria e Jashtme ruse e cilësoi vendimin e Uashingtonit “indinjues” dhe një “përpjekje primitive për hakmarrje”. Numri dy i diplomacisë, Sergei Ryabkov, deklaroi se Rusia do të përgjigjet me të njëjtën monedhë, por pa hyrë në detaje.

Sipas mediave ndërkombëtare, edhe BE-ja është duke shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të sanksioneve ndaj Rusisë, edhe pse jo në nivelin e SHBA-ve.

Ishte presidenti amerikan Barack Obama, ai që i bëri të njohura masat e reja ekonomike ndaj bankave dhe kompanive energjitike ruse. Nga Shtëpia e Bardhë, Obama kujtoi se i ka bërë thirrje vazhdimisht Moskës të marrë hapa për lehtësimin e krizës me Ukrainën, por rekomandimet e Amerikës nuk janë marrë parasysh.

Në një deklaratë të Departamentit të Thesarit sqarohej se masat e reja ndalojnë financimin amerikan të dy institucioneve ruse, Novatek and Rosneft, dhe kufizojnë qasjen e tyre në tregjet e kapitalit. Sanksionet, po ashtu, shënjestrojnë tetë firma ruse për prodhimin e armatimeve, të cilat prodhojnë lloje të ndryshme armatimesh, si armë të lehta, predha për mortaja dhe tanke, e prekin edhe një objekt të rëndësishëm transporti në gadishullin e Krimesë.

Shtëpia e Bardhë i ka bërë shpesh thirrje Rusisë të përdorë ndikimin e saj te separatistët pro-rusë, për të arritur një marrëveshje paqeje, por deri tani kjo nuk është arritur madje, gjatë ditës së djeshme, Ukraina ngriti akuza të forta ndaj Moskës për përfshirje të drejtpërdrejt në sulmet e ndodhura gjatë ditëve të fundit ndaj ushtrisë ukrainase.

Gjatë ditës së martë, Shtetet e Bashkuara publikuan një raport ku tregohej qartazi, se qëllimi i Shteteve të Bashkuara gjatë krizës në Ukrainë ka qenë për të mbështetur një Ukrainë demokratike, që do të jetë e qëndrueshme, e unifikuar, e sigurt politikisht dhe ekonomikisht, si dhe në gjendje të përcaktojë vet të ardhmen e saj.

Sanksionet zhvlerësojnë Rusinë
Bie rubla dhe aksionet e kompanive kryesore në bursat ndërkombëtare

Aksionet ruse në tregjet ndërkombëtare ranë ndjeshëm mëngjesin e sotëm, pas lajmit se Perëndimi ka vendosur një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë, si përgjigje ndaj dështimit të Vladimir Putin-it për çtensionimin e krizës në Ukrainë.

Rubla ruse humbi më shumë se 1 përqind të vlerës përballë dollarit, duke iu drejtuar atij që konsiderohet si zhvlerësimi më i madh i kësaj monedhe prej muajsh të tërë.

Indeksi i bursës më të madhe ruse ra në nivelin më të ulët, që prej Majit. Rrokullimën kanë marrë dhe aksionet e prodhuesit më të madh të naftës në vend, Rosneft, i prekur drejtpërdrejt nga masat e reja të Uashingtonit. Të tjera kompani energjie janë goditur gjithashtu.

Sipas ekspertëve amerikanë, përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe të Europës për të vështirësuar aksesin e Moskës në tregjet e kapitalit, me shumë gjasa do ta çojnë ekonominë ruse drejt recesionit. Rusia ka qenë prej një dekade lokomotivë e ekonomisë botërore, por rritjes së saj tani po i vjen fundi.

Pas fasadës së forcës ushtarake dhe unitetit demonstrativ kombëtar janë fshehur prej kohësh probleme të mëdha ekonomike, të cilat vijnë duke u shtuar e, sado që autoritetet përpiqen ta mbulojnë, aktualisht vendi është në krizë.

Në fillim të Majit, këtë e konstatoi Fondi Monetar Ndërkombëtar, e më vone e pohoi mes rreshtash edhe ministri i Ekonomisë, Alexei Ulukajev. “Patëm një rënie sezonale në prodhimin ekonomik, gjatë tremujorit të parë, prej 0.5 përqind”, pati deklaruar ai.

Teorikisht, në tremujorin e dytë mund të ketë një rënie deri në 0,1 përqind. Ekspertët parashikojnë se me kalimin e kohës, përfytyrimi për Rusinë do të ndryshojë rrënjësisht, pasi dobësitë strukturore të vendit do të nisin të dalin në pah, duke dëshmuar qartë se potenciali ekonomik i vendit jashtë kufijve është mbivlerësuar së tepërmi, ndërsa realiteti është ndryshe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB