
Militantët palestinezë kanë lëshuar të paktën 3 mortaja nga Gaza në drejtim të Izraelit gjatë armëpushimit humanitar, bëjnë të ditur forcat izraelite të sigurisë.
Hamas dhe Izraeli kishin rënë dakord për të ndalur luftimet për 5 orë gjatë së enjtes, për t’u lejuar qytetarëve të furnizoheshin me ushqime.
Forcat izraelite të Mbrojtjes kanë deklaruar se nuk kanë ndërmarrë asnjë aksion deri tani, madje nuk ka pasur asnjë deklaratë as nga Hamasi.
“Ndërkohë që Forcat izraelite Mbrojtëse ndalën sulmet, 3 mortaja janë lëshuar nga Gaza dhe kanë goditur këshillin rajonal të Eshkol-it”, bëri të ditur ushtria izraelite gjatë së enjtes, dy orë pasi armëpushimi hyri në fuqi rreth orës 10:00 me orën lokale.
Më herët, ushtria izraelite kishte paralajmëruar se “do të kundërpërgjigjej menjëherë”, nëse sulmoheshin gjatë armëpushimit.
Armëpushim në Rripin e Gaza-s
Palët u japin kohë njerëzve të furnizohen me ushqime
Pas 9 ditë luftimesh, një armëpushim 5 orësh mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit hyri në fuqi në Gaza. Dy palët pranuan të ndalojnë sulmet përgjatë paradites, me qëllimin t’u lejojnë banorëve furnizimin me ushqime.
Me të nisur pushimzjarri, radhë të gjata njerëzish u mblodhën përpara bankave e trafiku u bllokua, teksa njerëzit nxitonin për të grumbulluar rezerva ushqimore për ditët e vështira.
Bilanci i viktimave në radhët e palestinezëve rëndohet dita-ditës, duke shënuar së fundi 227 të vdekur nga sulmet ajrore të Izraelit. Ndërsa raketat e Hamasit në shtetin hebre kanë vrarë vetëm një person.
Armepushimi i përkohshëm ishte propozim i të dërguari të OKB-së për Lindjen e Mesme, Robert Serry, i cili e paraqiti një hap të tillë si të nevojshëm, që popullsia në Gaza të furnizohej me ushqime dhe mallra të tjerë ndihme.
Një nismë e ngjashme, e ndërmarrë nga Egjipti, rezistoi vetëm pak orë, për shkak të mosrespektimit nga Hamasi. Ndërkohë, sot, një zëdhënëse e ushtrisë izraelite bëri të ditur dështimin e tentativës për një sulm kamikaz të militantëve palestinezë në Izrael.
Tetë vetë u vranë pas një vale sulmesh ajrore të shtetit hebre, sipas të cilit 13 persona të armatosur rëndë kishin hyrë rreth 250 metra në Izrael, përmes një tuneli jugor të Gazës. Por, ushtria, siç thotë, ka mundur të ndërhyjë në kohë, duke penguar një atentat të mundshëm në Kibuz Sufa.
Rëndimin e situatës e dëshmon edhe episodi i një dite më parë, kur katër fëmijë palestinezë u vranë, teksa ishin duke luajtur në një plazh pranë qytetit të Gazës. Kamerat televizive kishin regjistruar skenën e bombardimit të plazhit dhe fëmijët duke vrapuar, për t’i shpëtuar sulmit.
Zyrtarët izraelitë i cilësuan vdekjet “tragjike”, e pretendojnë se kanë nisur një hetim mbi ngjarjen, ndërsa shtuan se Hamasi po lëshon qëllimisht raketa nga rajone të populluara me civilë, duke i përdorur ata si mburoja njerëzore.
Top Channel