Andrea Stefani – U bënë 300 ditë të qeverisë së Kryeministrit Rama, por përballja me korrupsionin ka qenë aq e vakët sa vështirë të meritojë emrin “luftë”.
Shqipëria vazhdon të jetë një shtet ku pasurimi korruptiv i një shtrese ish-qeveritarësh perceptohet me sy të lirë, por askush nuk vepron për ta ndëshkuar këtë korrupsion. Kjo është specifika e Shqipërisë sot. Dhe ndërsa statusi i pandëshkueshmërisë i disa politikanëve, zyrtarëve apo gjyqtarëve të pasuruar llahtarisht mbetet po aq i paprekshëm sa më parë, shpresa dhe besimi për një antikorrupsion të vërtetë, që do t’i rreshtonte të gjithë barabar para ligjit, po tretet me shpejtësi. Lajmet për hetimin e ndonjë mjeku, mësuesi apo infermieri për marrje ryshfeti, ngjallin vetëm qesëndi. Në fakt, tingëllojnë si një maskim me antikorrupsion të vogël paaftësinë për të luftuar korrupsionin e madh. Dhe askush nuk do të besojë te prokuroria dhe drejtësia dhe vullneti politik i qeverisë “Rama” për antikorrupsion, nëse në rrjetën e drejtësisë bien vetëm ca cironka të vogla ryshfetesh dhe jo peshkaqenët e korrupsionit 23-vjeçar që kanë gëlltitur miliona nga buxheti i shtetit më të varfër të Europës.
***
Peshku qelbet nga koka – është një thënie e vjetër. Edhe peshku i shtetit shqiptar është korruptuar nga koka, përpara se kalbëzimi të arrijnë te bishti. Dhe kokat janë presidentët, kryeministrat, ministrat e këtyre viteve që kanë bërë politika, kanë marrë vendime, kanë organizuar tenderë për punime dhe investime publike që më së shumti janë grabitur. Nuk është rastësi që dallgët e antikorrupsionit, në vende kur ekziston vullneti politik, si dhe sistemi i institucioneve për t’i ngritur këto dallgë përlajnë, para së gjithash, presidentë dhe ish-presidentë shtetesh, kryeministra dhe ish-kryeministra si Kohl në Gjermani, Sanader në Kroaci, Berluskoni në Itali. Atje fryma e ligjit dhe e barazisë para tij nuk lejon që të marrësh në hetuesi Zhan Valzhanin se ka vjedhur një copë bukë dhe të lësh pa hetuar e gjykuar politikanin, kryeministrin apo ministrin që vjedh miliona nga buxheti publik. Atje antikorrupsoni nuk hedh vetëm grepin për të kapur cironka, por edhe rrjetën e hekurt për të kapur peshkaqenët e korrupsionit.
***
Por, në Shqipëri, vazhdon të jetë ndryshe. Në Shqipëri vazhdon të triumfojë kulti i të plotfuqishmit që nuk pyet për ligj. Kush ka qenë në pushtet dhe ka vjedhur miliona i bëfshin mirë. Drejtësia nuk ka punë me ta. Vite më parë kur qe në opozitë, Sali Berisha sokëllinte kundër korrupsionit “të padrinos së drogës Fatos Nano”. Dhe betohej se me të ardhur në pushtet do ta çrrënjoste korrupsionin e socialistëve dhe në vend do të triumfonte drejtësia. Por sapo erdhi në pushtet, ky sharlatan i radhës, nuk bëri gjë tjetër veçse u kujdes për pasurimin e familjes dhe klanit të tij politik. Majekrahët e Berishës kundër “mamuthëve të korrupsionit socialist” ranë në surdinë dhe pas 8 vjetësh qeverisje me “duar të pastra”, Shqipëria u gjend edhe më e kalbur nga korrupsioni dhe allishverishet. “Antikorrupsioni” i Berishës rezultoi një tallje me shqiptarët dhe një gjethe fiku për hallatet e një korrupsioni edhe më galopant.
***
Por Berisha i shkaktoi edhe një dëm tjetër të pallogaritshëm shqiptarëve, duke shkatërruar të gjithë sistemin që është i domosdoshëm për ta bërë luftën antikorrupsion një funksion organik të shtetit, pavarësisht axhendave apo vullnetit politik të qeverive dhe që vijnë e shkojnë. Berisha, me forma nga më të ndryshmet (nga korruptimi e deri te presioni i hapur), bëri zap institucionin e prokurorisë dhe gjykatat. Rrallë do të gjendet në historinë e Shqipërisë një qeveri si ajo e Sali Berishës që është përfshirë në superskandale dramatike si investimi i Rrugës Durrës-Kukës, Gërdeci apo edhe krime si 21 janari dhe askush nga qeveria të mos jetë prekur edhe një qime floku nga drejtësia. Kjo nuk është një rastësi, por rrjedhojë e kapjes së sistemit të drejtësisë nga ish-qeveria “Berisha”, të kapjes së atyre institucioneve dhe atyre njerëzve që edhe sot i telekomandon si robotë, ndërsa qahet se qeveria “Rama” po sulmon institucionet e “pavarura”! Edhe ndër shtetet më të korruptuara edhe pa asnjë qeveritar të lartë nën pranga?! Po ku ka nxitje më të madhe për korrupsion edhe më të madh se ky mjedis pandëshkueshmërie dhe kalbëzimi të “drejtësisë”?
***
Berisha nuk mund të mbijetonte kaq gjatë në pushtet dhe në politikë nëse nuk asgjësonte ato institucione hetimi dhe drejtësie që nuk njohin të gjithëpushtetshëm, por vetëm shtetasin që, kur shkel ligjin, përgjigjet para tij si edhe çdo qytetar tjetër. Madje kur shtetasi që ka shkelur ligjin duke bërë korrupsion është zyrtar i lartë, ministër apo kryeministër, e dënojnë edhe më ashpërsisht, sepse përveç shkeljes së ligjit, ka edhe një faj tjetër, ka shpërdoruar besimin publik. Po të ekzistonin këta prokurorë dhe gjykatës në Shqipëri, dikush do ta kish thirrur në hetuesi shtetasin Berisha për të dhënë shpjegime se si “rastisi” që hektarët e tokës së blerë nga vajza e tij në Porto Romano për llogari të Damir Fazlliç u përfshinë me një vendim qeverie si pjesë e një projekti për park energjetik, gjë që ia shumëfishoi vlerën duke i falur fitime të majme vajzës dhe mikut të tij të përfolur si mafioz? Rastësisht apo jo rastësisht, këtu kemi një konflikt të pastër interesi në një vendimmarrje qeverie, që asnjë organ i pavarur hetimi nuk mund ta neglizhonte. Për të mos folur pastaj për origjinën e milionave të përfshira në këto transaksione që janë një tjetër mesele që bie erë pastrimi parash.
***
Sa qe në pushtet, Berisha i obstruktoi hetimet ndaj korrupsionit të familjes dhe klanit të tij me kapje të prokurorëve dhe gjykatësve dhe aty ku kjo nuk funksionoi, me presione të hapura dhe brutale. Por ajo që nuk u bë në kohën e Berishës duhet të bëhet sot, kur ai nuk është më në pushtet. Është e vërtetë që qeveria “Rama” ndesh një pengesë të madhe që është, mungesa e një sistemi të pavarur drejtësie. Por ajo duhet të bëjë pa vonesë atë që i takon asaj. Të ridenoncojë në prokurori të gjithë dosjet e korrupsioneve, superskandaleve dhe krimeve (Rruga Durrës-Kukës, Gërdeci, 21 janari, Porto Romano etj.) të harruara apo pezulluara me “procedura ligjore” nga shërbëtorët e qeverisë së mëparshme në prokurori e gjykata. Dhe në rast se prokuroria nuk bën detyrën që i ka ngarkuar Kushtetuta për të hetuar dhe për të dërguar në bankën e kauzës korrupsionin dhe krimin, për të cilën edhe paguhet nga publiku, atëherë shumica e sotme ka të gjithë të drejtën të largojë të gjithë ata prokurorë që nuk bëjnë detyrën. Duke filluar edhe nga kryeprokurori Llalla. Dhe kështu duhet të ndodhë me të gjithë ata që institucionet e shtetit i kanë kthyer në bastione të një ish-qeverie të korruptuar. Pra kundër shtetit.
***
Koha nuk pret. Ose shumica dhe qeveria do të veprojnë me vendosmëri për vënien në funksionim të mekanizmit të drejtësisë që ndëshkon korrupsionin pa dallim (majtas, djathtas, lart e poshtë madje edhe në qendër po deshët) ose do të vijë momenti kur zhgënjimi do të jetë i pashmangshëm dhe antikorrupsioni i Rilindjes do të rezultojë një ritallje. Sepse Rilindja ka premtuar antikorrupsion. Se pa antikorrupsion nuk mund të ketë Rilindje të shtetit. Se mungesa e vullnetit për të luftuar korrupsionin e djeshëm nuk mund të ketë shkak tjetër veç korrupsionit të sotëm apo aspiratës për korrupsion. Është në instinktin e njerëzve të pakorruptuar ta neverisin dhe urrejnë korrupsionin, prandaj edhe ta luftojë. Qeveritarët e sotëm duhet të dëshmojnë me fakte se nuk u mungon ky instinkt. Vetëm korruptimi të pengon të luftosh korrupsionin. Qeveria “Rama” nuk ka rrugëdalje, ose do të luftojë korrupsionin ose do të damkoset edhe ajo me korrupsion! Rrugë të mesme nuk ka!
Top Channel