
Ushtria ukrainase nisi bombardimet nga ajri në lindje të vendit mbi objektiva të caktuar në rajonin e Luhanskut, në vazhdën e përpjekjeve për t’i dhënë fund bllokimit të një aeroporti strategjik në këtë zonë, i ndodhur prej javësh në duart e rebelëve.
Forcat ajrore të Kievit flasin për 5 goditje të fuqishme. Në faqen e presidentit Petro Poroshenko në rrjetin social Facebook, thuhet se trupat ukrainase i kanë larguar tashmë seperatistët nga aeroporti, por mbështetësit e Moskës në Luhansk pretendojnë se nuk ka pasur ndonjë sulm të ri ajror.
Luftimet në zonë janë intensifikuar që prej sulmit me raketa të rebelëve në afërsi të kufirit me Rusinë të premten, ku u vranë të paktën 19 ushtarë ukrainas. Pas kësaj ngjarjeje, Poroshenko u betua për hakmarrje.
Tensionet u përshkallëzuan edhe më shumë gjatë fundjavës, kur Moska akuzoi forcat e Kievit se kishin bombarduar edhe përtej kufirit, duke vrarë një person e duke plagosur dy të tjerë. Vetëm të djelën, sipas saj, në Luhansk dhe Donjeck kanë gjetur vdekjen të paktën 15 civilë.
Rusia kërkon bisedime të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Rebelëve, e me pretendimet e saj është bashkuar së fundmi edhe Gjermania, ndërsa Britania dhe Shtetet e Bashkuara ripërsëritën thirrjet drejtuar Moskës për të çtensionuar situatën në lindjen e vendit fqinj, në të kundërt do të përballet me sanksione të reja.
Më shumë se 1.000 civilë dhe militantë besohet të kenë gjetur vdekjen në luftimet që kanë trazuar rajonin pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në muajin mars.
Top Channel