Shqiptar në tri kohë

13/07/2014 00:00

Ilir Yzeiri – Ngjarjet e fundit në Shkup dhe në krejt Maqedoninë, kanë nxjerrë në reliev shumë çështje që prekin imazhin, identitetin dhe vendin e faktorit shqiptar në Ballkan e në Europë, në këtë fillimshekulli.

Shqiptarët e Maqedonisë, veçanërisht të rinjtë e mrekullueshëm të atij vendi, na treguan të gjithëve se kanë një vetëdije europiane dhe me një dinjitet të pashoq i shmangën të gjitha provokimet banale me sfond fetar apo me sfondin e vjetër të nacionalromantizmit dhe u paraqitën si qytetarë të vërtetë, duke treguar me këtë rast se ata nuk mund të poshtërohen, nuk mund të defaktorizohen nga një qeveri ultranacionaliste, që blen gjithçka, deri edhe të shkuarën historike dhe përpiqet ta ndërtojë të ardhmen e atij vendi multietnik me paranojën e ortodoksisë. Shqiptarët e Shkupit dhe të gjithë Maqedonisë, veçanërisht të rinjtë e mrekullueshëm të atij vendi, vërshuan në rrugët e Maqedonisë për të kërkuar dinjitet dhe trajtim të barabartë. Protesta e tyre ka një simbolikë. Ajo kërkon që të bëhet transparencë për një vendim gjyqësor, të cilin shqiptarët e atjeshëm e quajnë provokativ dhe të rrezikshëm, sepse është bërë, sipas tyre, jo duke u mbështetur në prova, por në bindjen raciale se shqiptarët janë faktorë destabilizues, se janë bartës të terrorizmit dhe frymëzues të islamit radikal. Të tria këto paranoja dhe shpifje të një shteti pa orientim, shqiptarët i hodhën poshtë dhe u paraqitën para gjithë opinionit botëror, si një masë kompakte që brenda kuadrit ligjor të atij shteti, proteston në mënyrë paqësore dhe kërkon drejtësi shoqërore. Ata nuk kursyen as partitë e tyre politike, të cilat i akuzuan si pjesë e një qeverisjeje të keqe që po shkel parimet e barazisë dhe Marrëveshjen e Ohrit. Mirëpo, përfaqësimi i shqiptarëve dhe partitë e tyre politike nuk janë një problem vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, janë një problem i madh edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë.
 
Të gjitha partitë po ia mësyjnë qeverisë ose koha e parë

Kështu e titullonte një raportim të sajin një e përditshme e Kosovës, duke iu referuar me këtë rast situatës paszgjedhore në atë vend. Në fakt, po ta vëresh me kujdes atë që ndodh në Kosovë, do të shohësh se partitë politike në atë vend nuk kanë një orientim të qartë për zhvillimin e Kosovës. Beteja mes forcave politike është përqendruar te korrupsioni dhe krimi. Hashim Thaçi akuzohet për korrupsion dhe qeverisje të kriminalizuar, partitë opozitare që duan të vijnë në pushtet me koalicione që nganjëherë duken të panatyrshme, kanë më shumë inatin që të eliminojnë Hashim Thaçin sesa të qeverisin Kosovën. Është e pakuptimtë për një vend demokratik që politika të ngrihet mbi motivin e larjes së hesapeve me kundërshtarë që dikur mund t’i kesh pasur aleatë. Kjo sëmundje e pashërueshme ballkanike dhe e trashëguar më së shumti ndër shqiptarë, ka krijuar sindromën e urrejtjes mes politikanëve, të cilët angazhimin e tyre nuk e kuptojnë si një përpjekje për t’u shërbyer të tjerëve, por si një mundësi për të afirmuar egon e sëmurë ballkanike dhe për të eliminuar kundërshtarin ose tjetrin që mund të ketë prerë në besë. Ndaj, unë jam skeptik për qeverinë që do të lindë nesër në Kosovë. Ajo do të jetë pjellë e helmit të urrejtjes për tjetrin, pjellë e triumfit mbi besëprerin Hashim.
 
Koha e dytë ose a duhet rrahur një deputet

Bash në kohën kur në Kosovë po negociohet për qeverisjen e ardhshme, bash në kohën kur mijëra e mijëra të rinj shqiptarë vërshojnë nëpër rrugët e Maqedonisë dhe protestojnë kundër shtetit që i dënon për arsye etnike dhe kundër të zgjedhurve të tyre se nuk po i mbrojnë dhe se po bëjnë lojën e një qeverisjeje që i shtyp dhe i diskriminon, një deputet shqiptar shpall se ai rrihet nga kolegët e tij. Ai hyn në sallën e Parlamentit dhe me të drejtën që i jep ligji, pra me të drejtën që ai mund të thotë çfarë të dojë dhe për këtë nuk mban asnjë përgjegjësi, nis dhe akuzon kolegët e tij të krahut tjetër. I akuzon dhe i shan deri në atë pikë sa kolegët e krahut tjetër harrojnë që janë deputetë dhe kujtohen se janë shqiptarë dhe instinkti i ligjshëm i nderit i bën që të nxjerrin rripin apo grushtet dhe ta rrahin deputetin. Rrahja në ambiente publike është një gjë e dënueshme. Rrahje dhe zënie me grushte në salla parlamentesh ne kemi parë shumë herë. Ndaj problemi nëse duhet rrahur një deputet, për mendimin tim, është i zgjidhur. Deputeti që mendon se mund të përballet me kundërshtarin e tij edhe fizikisht është në të drejtën e tij që t’i vërsulet kundërshtarit. Kundërshtari është gjithashtu në të drejtën e tij që të mbrohet dhe ose ta shmangë agresorin deputet ose të pranojë të rrihet. Pasi e ka bërë këtë, ai, meqenëse nuk mban përgjegjësi për atë që bën dhe atë që thotë, mund të dalë në konferencë shtypi dhe të thotë se ose u rrah ose e rrahu kundërshtarin. Gjithë motivet e tjera nuk pinë ujë. Pra, nëse ai del e na thotë se u rrah për interesin tonë, kjo është pak e tepruar, sepse zgjedhësit e kanë votuar për të përdorur fjalën, jo gojën. Zgjedhësit po ashtu duan të shohin një alternativë tjetër qeverisjeje jo një ring ku bëhet grusht. Nëse deputeti vendos të rrihet në sallën e Parlamentit, kjo është një çështje e tij dhe jo e zgjedhësve. Por nëse gjithë ai grupim politik e sakrifikon nderin dhe dinjitetin e një deputeti dhe e nxit atë që të rrihet në mënyrë të vazhdueshme, kjo është po ashtu një problem i asaj force politike, e cila mesa duket kënaqësinë e të bërit opozitë e ndien te vetëmazohizmi.
 
Koha e tretë ose shqiptarët nuk i meritojnë politikanët e tyre

Duke e përfunduar do të doja t’u rikthehesha edhe njëherë ngjarjeve të Shkupit. Kolegu Kim Mehmeti, në një koment botuar të shtunën te gazeta “Shqip”, e vlerësonte qëndrimin e Edi Ramës, Kryeministrit të Shqipërisë, në lidhje me ngjarjet e Shkupit. Në fakt, qeveria e re dhe Edi Rama mesa duket janë përfaqësuesit më dinjitozë të shqiptarëve në këta njëzet e ca vjet. Po kujtoj shkarazi këtu qëndrimin e qartë dhe dinjitoz në raport me Greqinë për çështjen e ujërave dhe atë çame, po përmend gjithashtu edhe qasjen europiane dhe pa asnjë nëntekst oriental apo prej dallkauku ndaj jetës politike në Kosovë dhe, më në fund, po kujtoj gjithashtu se deklarata e Kryeministrit shqiptar për ngjarjet në Maqedoni ishte një qëndrim serioz dhe plot dinjitet që po tregon më në fund se shqiptarët sot përfaqësohen në shtetin e tyre amë nga një qeveri e përgjegjshme, europiane dhe dinjitoze, se kjo qeveri e ka të shenjtë lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Në emër të tyre ajo mbron edhe interesat e shqiptarëve kudo që ata ndodhen. Të mos harrojmë se çfarë bëjnë serbët për minoritetet e tyre, grekët apo maqedonasit për pakicat apo minoritetet e tyre. Edi Rama po na tregon të gjithëve se atij nuk i intereson karriera e tij politike përballë të drejtave të shqiptarëve, kudo që ata ndodhen. Të mos harrojmë pazaret e neveritshme të qeverise së Berishës me të gjitha këto vende që të zgjaste pushtetin e tij politik. Edi Rama dhe qeveria e tij duhen inkurajuar dhe mbështetur në këtë rast.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA