Konflikti në Gaza, palestinezët lënë shtëpitë

13/07/2014 00:00

Mijëra palestinezë kanë lënë shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Gazas pas paralajmërimeve të Izraelit që ata të largohen para sulmeve të reja me raketa.

OKB ka thënë se mbi 4 mijë persona kanë kërkuar tashmë strehim. Në inkursionin e parë tokësor forcat izraelite kanë sulmuar një zonë, nga e cila dyshohet se mund të niseshin raketat në drejtim të Izraelit.

Sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gaza të paktën 159 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës. Mes viktimave janë edhe 17 anëtarët e së njëjtës familje. Qeveria e Izraelit mbron idenë se synimet e bombardimeve të tyre janë shtëpitë e zyrtarëve të lartë si edhe militantët, por nga ana tjetër Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se 77% e njerëzve të vrarë në Gaza kanë qenë civilë dhe njerëz të pafajshëm.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së bëri thirrje për një armëpushim dhe këshilloi bisedime për paqen. Megjithatë, sipas analistëve, luftërat mes Hamasit dhe Izraelit kanë tendencë për të përfunduar me armëpushim, por faktorët që ndikojnë në kohën e marrëveshjes përfshijnë një numër të caktuar të njerëzve që kanë humbur jetën si edhe nivelin e presionit ndërkombëtar ndaj të dy anëve për të bërë një marrëveshje.

Top Channel