
Forcat irakene të sigurisë dhe milicitë pro-qeveritare kanë ekzekutuar të paktën 255 të burgosur që prej 9 qershorit, thotë një grup për të drejtat e njeriut.
Vrasjet duket se janë të lidhura me sulmet e kryera nga xhihadistët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit, deklaron Human Rights Watch në një deklaratë.
Të burgosurit ishin të gjithë myslimanë sunitë, ndërsa shumica e ekzekutorëve anëtarë të forcave të sigurisë dhe milicisë shiite. Ndërkohë, kurdët irakenë kanë raportuar se kanë marrë nën kontroll disa fusha me naftë në veri të vendit.
Shumica e ekzekutimeve ndodhi teksa forcat irakene po tërhiqeshin për shkak të avancimit të luftëtarëve të ISIS, thotë HRW në deklaratën e saj.
Në dokument saktësohet se vrasjet u kryen në gjashtë fshatra irakene: Mosul, Tal Afar, Bakuba, Xhumarke, Raua dhe Hilla.
“Ekzekutimi në masë mund të jetë provë për krime lufte apo krime kundër njerëzimit dhe duket se është kryer në shenjë hakmarrjeje ndaj mizorive të ISIS-it”, vijon deklarata.
Muajin e kaluar rebelët sunitë morën nën kontroll zona të gjera në veri-perëndim të Irakut. Grupi islamik ka fituar reputacionin e përdorimit të forcës brutale në zonat që kontrollon.
“Teksa e gjithë bota denoncon me të drejtë mizoritë e ISIS, ajo nuk duhet të mbyllë sytë ndaj dhunës sektare të qeverisë dhe forcave pro-qeveritare”, deklaroi Joe Stork, nëndrejtor i HRW për Lindjen e Mesme.
Top Channel